Sport

Zyrtare, Genoa kalon në pronësi të ‘777 Partners’


Edhe pse u lajmërua më herët, por mungonte zyrtarizimi, Genoa Cricket and Football Club tashmë është nën pronësinë e fondit amerikan “777 Partners”.

Kështu ka marrë fund epoka 18-vjeçare e Enrico Preziosi-t në krye të Genoa-s. Pronarët e rinjë kanë blerë 99.9% të aksioneve të klubit.

Genoa bëhet kështu klubi i 46 në Evropë që kalon në pronësinë e amerikanëve dhe i nënti në Itali. Fondi amerikan zotëron dhe një pjesë të aksioneve të klubit spanjoll të Sevilla-s.

Pronari i mëparshëm, Preziosi, do të mbetet në bordin e drejtorëve, ndërsa drejtori ekzekutiv, Alessandro Zarbano, do të vazhdojë të menaxhojë operacionet klubit.

“Ne jemi të nderuar të bëhemi pjesë e një klubi me një histori, trashëgimi dhe traditë aq të madhe sa Genoa”, tha Josh Wander, themeluesi dhe një nga menaxherët e “777 Partners”.

“Ne e kuptojmë dhe respektojmë përgjegjësinë që po trashëgojmë, ne duam të ruajmë dhe mbrojmë trashëgiminë krenare të ‘Rossoblu’ duke synuar pozicionimet më të mira të mundshme në Serie A”, përfundoi amerikani.

Ish-presidenti i klubit, Preziosi tha se  kishte ardhur koha për ndryshim dhe se “gjithmonë kisha thënë se do ta lë Genoa-n vetëm një pronari të ri të fortë dhe të besueshëm dhe e lë atë në duart e ‘777 Partners’.

“Atyre, të cilët tani do të drejtojnë klubin më të vjetër në Itali, u uroj më të mirat. Unë gjithmonë do të mbetem një tifoz ‘rossoblu’”, përfundoi Preziosi.

Enrico Preziosi

Preziosi ishte në krye të Genoa-s që nga vitit 2003. Ai e ka shitur klubin për shifrën e 150 milionë eurove.

Përsa i përketë pronarëve të rinjë “777 Partners”. Ata janë një firmë investimesh private e themeluar në vitin 2015 dhe me qendër në Miami. Themeluesit e saj janë Steven Pasko dhe Josh Wander-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore