Kosova

ZRRE s’tregon se kur vendos për rritjen e çmimit të rrymës


Bordi i ZRRE-së

Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu, gjatë një konference për media nuk ka dhënë detaje se kur do të merret vendimi për tarifat e reja të energjisë elektrike si dhe nuk ka treguar nëse tarifat e reja do t’u faturohen qytetarëve në mënyrë retroaktive prej datës 1 shkurt.

“Sipas legjislacionit deri më 31 janar është afati për dorëzimin e komenteve, pas pranimit të komenteve ZRRE-ja do të del me një raport përfundimtar dhe do t’i përgjigjet të gjitha komenteve. Aty do të vendoset për tarifat”, ka thënë Fejzullahu.

Krahas kësaj, ai bëri të ditur se blloqet e termocentralit ‘Kosova B’ nuk do të shkojnë në remont në vitin 2022.

“Blloqet e Termocentralit ‘Kosova B’ gjatë vitit 2022 nuk do të shkojnë në remont me qëllim të vendosjes së elektro-filtrave, por njëri prej blloqeve do të shkojë në remont për arsye tjera që nuk kanë të bëjnë me elektro-filterat”, tha ai.

Ndërkohë, në mbledhjen e ZRRE-së, Skënder Muqolli nga departamenti i tregut në kuadër të ZRRE-së, duke bërë të ditur bilancin energjetik gjatë vitit 2022 ka thënë se Kosova do të jetë neto eksportuese e energjisë elektrike.

“KEK ka dërguar në KOSTT skenarin e fundit të prodhimit i cili është optimist dhe parashikon të ketë performanc të mirë duke ofruar sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike për vitin 2022. Në këtë bilanc përveç gjenerimit për muajin janar janë përfshirë edhe të dhëna të tjera të realizuara duke përfshirë edhe konsumin dhe importin 1 deri 28 janar”, ka thënë ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore