Shqipëria

Zjarret përfshijnë jugun e Shqipërisë


Zjarret kanë përfshirë jugun e Shqipërisë, me vatra aktive në Ksamil, Tragjas dhe Karaburun. Më herët edhe zona e Dukatit u përfshi nga flakët por u arrit pas disa ditësh shuarja e tyre me mjete rrethanore.

Në zonën e Tragjasit dhe Karaburunit në Vlorë, zjarri ka prekur me qindra hektarë pyje dhe punonjësit e zjarrëfikëses po përpiqen ta shuajnë me mjete rrethanore.

Forcat Zjarrfikëse të qytetit të Vlorës janë nisur drejt vatrave të zjarrit.

Ende nuk ka asnjë ndërhyrje nga ajri, për të parandaluar zjarrin, nëpërmjet helikopterëve. Më herët, zjarri u vu nën kontroll, por faktori i erës ndikoi për djegjen e mëtejshme të malit.

Të premten e 30 korrikut, Ksamili është përfshirë nga flakët, duke avancuar edhe drejt zonave të banuara. Sipas të dhënave paraprake, përhapja e zjarrit është favorizuar nga era, duke prekur disa ullishte pranë banesave.

Në Sarandë gjenden dhe dy vatra aktive zjarri, përkatësisht në Vagalat dhe në Delvinë.

Në të dyja zonat paraqitet e njëjta situatë, me ullishte, shkurre dhe pemë frutore të shkrumbuara. Për të treja rastet, ka dyshime për zjarrvënie të qëllimshme.

KLSH

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), paralajmëroi nisjen e një kontrolli në terren ndaj strukturave që menaxhojnë shuarjen e zjarreve.

Këto kontrolle kanë ardhur me urdhër të kryetarit, Arben Shehu. Inspektorët e KLSH-së kanë zbritur në të gjitha qytetet problematike përfshirë Vlorën dhe Fierin ku situata paraqitet më e rëndë.

Kontrolli do të verifikojë menaxhimin që po bëhet për procesin e shuarjes së zjarreve, duke nisur nga përdorimi i pajisjeve si dhe ana organizative.

Gjithashtu, KLSH-ja do të verifikojë tenderimet për pajisjet e zjarrfikësve si dhe hallkave të tjera të emergjencave civile, nëse përputhen fizikisht me ato që janë blerë si dhe mungesën e tyre gjatë operacioneve.

Aktualisht sipërfaqe të tëra janë duke u djegur në pika të ndryshme, ndërsa më problematike paraqitet situata në Karaburun ku zjarri po i afrohet parkut të Llogarasë si dhe vëndhedhja e mbeturinave në Fier.

Ministria e Mbrojtjes

Përmes një komunikate, Ministria e Mbrojtjes (MM) dallon se nga një vlerësim i situatës, ka rezultuar se përgjatë muajit korrik ka pasur një rritje të ndjeshme të numrit të zjarreve.

Dhe se shkaktari që qëndron pas kësaj është thatësira e krijuar nga kushtet e motit çka ka favorizuar marrjen e përmasave të zjarreve dhe zgjatjen e tyre në kohë.

“Të gjitha kapacitetet dhe strukturat e emergjencave civile kanë punuar për normalizimin e tyre dhe janë në gatishmëri për përballimin e çdo situate emergjente të mundshme”, ka siguruar MM-ja.

Sipas informacioneve të marra nga ministria prej IGJEUM-it mbi kushtet e motit gjatë ditëve në vijim, temperaturat në vendin tonë do të jenë relativisht të larta deri në 41°C.

Prandaj dhe “kërkohet nga strukturat e mbrojtjes civile të vijojnë të jenë në gatishmërinë të plotë për menaxhimin e situatave të shkaktuara nga zjarri”.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes u drejton thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm në zonat ku paraqitet rrezik më i lartë.

Dhe ka paralajmëruar se të gjithë ata që shkaktojnë situata të tilla nga pakujdesia apo në mënyrë të qëllimshme “do të vihen përpara përgjegjësisë penale”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore