Shqipëria

Korriku, muaji i më shumë zjarreve


Përmes një komunikate, Ministria e Mbrojtjes dallon se nga një vlerësim i situatës, ka rezultuar se përgjatë muajit korrik ka pasur një rritje të ndjeshme të numrit të zjarreve.

Dhe se shkaktari që qëndron pas kësaj është thatësira e krijuar nga kushtet e motit çka ka favorizuar marrjen e përmasave të zjarreve dhe zgjatjen e tyre në kohë.

“Të gjitha kapacitetet dhe strukturat e emergjencave civile kanë punuar për normalizimin e tyre dhe janë në gatishmëri për përballimin e çdo situate emergjente të mundshme”, ka siguruar ministria.

Gjithashtu ka bërë me dije se aktualisht, është aktive një vatër zjarri në pyllin e Krastës, Bashkia Krujë e cila është vënë nën kontroll nga forcat operacionale që po punojnë për shuarjen e tij.

Sipas informacioneve të marra nga ministria prej IGJEUM-it mbi kushtet e motit gjatë ditëve në vijim, temperaturat në vendin tonë do të jenë relativisht të larta deri në 41°C.

Prandaj dhe “kërkohet nga strukturat e mbrojtjes civile të vijojnë të jenë në gatishmërinë të plotë për menaxhimin e situatave të shkaktuara nga zjarri”.

Nga ana tjetër, Ministria e Mbrojtjes u drejton thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm në zonat ku paraqitet rrezik më i lartë.

Dhe ka paralajmëruar se të gjithë ata që shkaktojnë situata të tilla nga pakujdesia apo në mënyrë të qëllimshme “do të vihen përpara përgjegjësisë penale”.

Ministria ka siguruar ndër të tjera se së bashku me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile do të jetë në gatishmëri për menaxhimin e çdo situate emergjente gjatë këtyre ditëve të nxehta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore