Lajme

Zjarret e Siberisë kalojnë edhe shumatoren e zjarreve globale


Vatrat e zjarrit në Siberi kalojnë për nga përmasat të gjitha vatrat e zjarreve në botë të bëra bashkë.

Për Rusinë, ka dy lloje të zjarreve në të gjithë Siberinë: ato që po luftojnë autoritetet dhe të tjerat që po lejojnë të digjen.

Kjo për shkak se Siberia është aq e madhe, saqë zjarret mund të vazhdojnë pa kërcënuar ndonjë vendbanim të madh, sistemet e transportit apo infrastrukturën.

Në një nivel, zjarret e Siberisë janë pjesë e një cikli vjetor.

Megjithatë, shumë ekspertë të klimës e shohin shtrirjen marramendëse të zjarreve të këtij viti si një shenjë tjetër të rreziqeve më të mëdha të zjarrit.

Kjo, në një planet që potencialisht po bëhet edhe më i nxehtë nga emetimet e mëdha të karbonit nga flakët.

Rusia po lufton më shumë se 170 zjarre pyjorë në Siberi që kanë mbyllur aeroportet dhe rrugët.

Nga zjarret në Siberi janë kryer evakuime, por tymi ka përfshirë të gjithë Polin e Veriut.

Dhjetëra vatra të tjera, që mbulojnë mijëra kilometra katrorë, janë lënë pa asnjë përpjekje nga autoritetet për t’i luftuar ato.

Ndërsa Rusia përballet me një nga sezonet e saj më të këqija të zjarrit, ambientalistët thonë se ka pak urgjencë për një ngjarje që zyrtarët e hedhin poshtë çdo vit.

“Për vite me radhë, zyrtarët dhe drejtuesit e opinionit kanë thënë se zjarret janë normale dhe nuk ka nevojë të bësh bujë nga kjo situatë. Njerëzit janë mësuar me të”, tha Alexei Yaroshenko, një ekspert i pyjeve në Greenpeace Rusia.

Taiga është një brez pyjesh halore rreth planetit në mes të 50 dhe 60 gradëve në veri të Ekuatorit.

Zjarret e ndezura në Siberi janë më të mëdha se zjarret në Greqi, Turqi, Itali, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada të kombinuara, me analistët që paralajmërojnë se ky vit mund të tejkalojë vitin më të keq të zjarrit të Rusisë, 2012, sipas Yaroshenkos.

Megjithatë, shumë rusë nuk janë në dijeni të rrezikut të djegies së parcelave të vogla në kushte të paqëndrueshme, të bindur se zjarret e mëdha janë rezultat i kriminelëve të fuqishëm ose zyrtarëve të korruptuar, që mbulojnë krimet.

Rreth gjysma e pyjeve të Rusisë janë lënë të pambrojtur nga autoritetet rajonale, kryesisht për shkak të financimit jo të duhur për shuarjen e zjarrit, tha Yaroshenko.

“Këto pyje kanë një rol shumë domethënës në rregullimin e mjedisit”, tha ai.

Sipas ekspertit, shumica e pyjeve në zona të pambrojtura janë në veriun e largët.

“Ata rriten shumë ngadalë, janë shumë të ndjeshëm dhe nëse digjen, ndikimi në mjedis është i madh”, nënvizoi Yaroshenko.

Çdo vit, qindra zjarre digjen në pyjet dhe fushat e Rusisë. Greenpeace i bazon shifrat e saj në statistikat e shërbimeve zjarrfikëse ruse që monitorojnë flakët.

Marrë nga Washington Post, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore