Shqipëria

Zhupa i bën thirrje PS-së të distancohet nga vendosja e tritolit në mjetin e kreut të PD-së në Vaun e Dejës


Deputetja demokrate, Ina Zhupa, ka bërë thirrje për një distancim të mazhorancës nga atë që e cilësoi si “akt terrorist”, vendosjen e një sasie eksplozivi ndaj kryetarit të Partisë Demokratike (grupimi i Rithemelimit) për Vaun e Dejës, Benard Ndreca.

Ekspertiza e ka bërë të qartë se sasia e vendosur, ka qenë prej 50 gramësh eksploziv, në pjesën e përparme të mjetit.

Ndërsa, nga Policia e Vaut të Dejës, janë shoqëruar në komisariat gjashtë persona, për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjet.

“Kjo ishte një nisje e fushatës me tritol. Ministri i Brendshëm duhet të na tregojë se deri në çfarë niveli janë hetimet. Demokratët nuk trembën, hiqni dorë nga këto metoda dhe distancohuni sot publikisht nga kjo ngjarje”, bëri thirrje Zhupa nga foltorja e Parlamentit.

Në rastin e Ndrecës ndërkaq, grupi hetimor ka sekuestruar të gjithë kamerat e sigurisë në zonë në mënyrë që përmes pamjeve të bjerë në gjurmët e dy personave që kanë organizuar këtë atentat.

Dyshimet më të forta, janë ato që Ndreca të jetë mbajtur nën monitorim dhe që lënda eksplozive të jetë shpërthyer me telekomandë, në momentin që autorët kanë parë se ai është futur në mjet dhe e ka ndezur atë.

Ngjarja ka ndodhur, sipas njoftimit të parë të Policisë, rreth orës 07.10, në fshatin Paçram, të Vaut të Dejës, kur pjesa e përparme e automjetit tip “Audi” në pronësi të Ndrecës, ka shpërthyer.

Vetë Ndreca ndërkaq, ka deklaruar se nuk ka konflikt me asnjë person dhe se nga pamjet filmike prej kamerave të sigurisë, vërehet se kanë qenë dy persona të maskuar, ata të cilët e kanë kryer aktin.

Regimet

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj ka reaguar lidhur me vendosjen e një sasie eksplozivi në automjetin në pronësi të kreut të Partisë Demokratike (grupimi i Rithemelimit) për Vaun e Dejës, Benard Ndreca.

“Dënoj me forcë aktet e dhunës ndaj çdo individi e ndaj aktivistëve politikë të çdo kahu. Nxis institucionet përgjegjëse të identifikojnë e të vendosin para ligjit personat përgjegjës”.

Më herët ishte kryedemorkati Sali Berisha, që reagoi lidhur me ngjarjen duke e etiketuar si një hapje fushate me një “atentat të mirëfilltë”.

Berisha e quan ‘atentat të mirëfilltë politik’, tritolin në makinën e Ndrecës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore