Film

“Zgjoi” shënon suksesin e radhës, fiton çmim në Gjermani


Aktorja, Yllka Gashi në rolin e zonjës Fahrije, në skenat e filmit "Zgjoi".

“Die Tilda” është çmimi më i ri dedikuar për filmin “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit, i ndarë nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Braunshvajg të Gjermanisë.

Lajmi u bë i ditur përmes një postimi në Facebook, në faqen zyrtare të filmit, ndërsa përmes një video porosie u zbulua se regjisorja, Basholli, ka një lidhje të veçantë me këtë qytet gjerman.

Fotografi e publikuar nga faqja zyrtare e filmit “Zgjoi” në Facebook.

“Prandaj, ky çmim ka shumë rëndësi për mua, veçanërisht pasi që vjen nga edicioni i 35-të i Festivalit. Gjithashtu, të marrësh çmimin ‘Die Tilda’ është ndjenjë shumë e veçantë pasi që e kemi realizuar këtë film, duke mos e ditur se sa ndikim do të kemi te njerëzit”.

“Rrëfimi i Fahrijes ishte mbresëlënës dhe ne kemi punuar me shumë pasion, prandaj është shpërblyese të shohësh reagimet pozitive që njerëzit po kanë karshi filmit”, ka thënë ajo.

Në kategorinë “New International Cinema” bashkë me “Zgjoin” ishin edhe 19 filma të tjerë.

Derisa edicioni i 35-të i “Braunschëeig International Film Festival” u mbajt në formatin hibrid, filmat u shfaqën në kinema dhe në versionin virtual.

Ndryshe, së fundmi edhe aktorja kosovare Yllka Gashi ka fituar çmimin “Aktorja më të mirë”, për portretizimin e Fahrije Hotit në filmin “Zgjoi”.

Yllka Gashi në rolin e zonjës Fahrije, në filmin “Zgjoi”.

Gashi këtë çmim e ka fituar në Festivalin spanjoll “Seminci” dhe atë në kategorinë kryesore.

Kurse, filmi “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit ka fituar Çmimin “Fundos”.

“Është një histori e veçantë, specifike, e që ndodh në Kosovë, por është gjithashtu një histori universale që frymëzon këdo në botë”, pati thënë Gashi gjatë pranimit të çmimit.

Filmi “Zgjoi” apo “Hive”.

“Zgjoi” është një film i bazuar në ngjarje të vërtetë që paraqet historinë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambiciet e grave për t’u zhvilluar nuk shihen me sy të mirë.

Në rolin kryesor të filmit luan aktorja Yllka Gashi, kurse disa nga aktorët që luajnë rolet e tjera janë Çun Lajçi, Adriana Matoshi e Aurita Agushi. Blerta Basholli është regjisorja e filmit, e drejtor fotografie është Alex Boom.

Filmi “Zgjoi” producent ka Yll Ukën ndërsa grupi i bashkë producentëve të filmit përbëhet prej Valon Bajgores, Agon Ukës, Britta Rindelaubit, Kristjan Burovskit, Tomi Salkovskit dhe Paskal Seminit. Ndërsa për montazhin e filmit janë përkujdesur Felix Sandri e Enis Saraçi.

Gjithashtu, filmi “Zgjoi” është  një bashkëprodhim midis Kosovës, Maqedonisë, Zvicrës dhe Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore