Film

“Zgjoi” i Kosovës triumfon në Amerikë


Filmi artistik nga Kosova “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit ka arritur të rrëmbej tri çmimet kryesore në festivalin prestigjioz amerikan të filmit Sundance Film Festival.

‘Filmi më i mirë’ (Grand Jury Prize), ‘Regjisorja më e mirë’ dhe ‘Çmimi i publikut’ janë tri çmimet e ndara për filmin kosovar i cili në këtë festival u prezantua me emrin “Hive”.

‘Zgjoi’ është një film i bazuar në ngjarje të vërtetë që paraqet historinë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambiciet e grave për t’u zhvilluar nuk shihen me sy të mirë.

Gjatë ceremonisë të ndarjes së çmimeve, përmes një video mesazhi, regjisorja Blerta Basholli e producenti i filmit Yll Uka u shprehen të jenë pafundësisht të lumtur për këtë sukses të ‘Zgjoi’.

“Të shpërblehem nga festivali im i preferuar, ka rëndësi të papërshkrueshme për mua. Dua t’i ndaj këto çmime me të gjithë ekipin, aktorët dhe posaçërisht me Fahrije Hotin të cilën e mbaj në zemër që nga momenti i parë që e kam takuar, dhe e cila është shembull për të gjithë ne” thotë Basholli, pas marrjes së çmimit “Regjisorja më e mirë”.

Shumë i lumtur për fitoren e ‘Zgjoi’ është shprehur të jetë edhe producenti i këtij filmi. Pas pranimit të çmimit të Publikut dhe atij të Filmit më të mirë, Yll Uka, tregon se rruga deri tek finalizimi dhe lansimi i filmit ka qenë e gjatë.

“Kemi punuar shumë dhe gjatë që ta sjellim këtë film para jush, publikut, dhe jemi shumë të nderuar që na shpërblyet.  Duam t’ia dedikojmë këtë çmim vendit tonë të dashur dhe të bukur, Kosovës ” thotë Uka në video mesazh.

Në rolin kryesor të filmit luan aktorja Yllka Gashi, kurse disa nga aktorët që luajnë rolet e tjera janë Çun Lajçi, Adriana Matoshi e Aurita Agushi. Blerta Basholli është regjisorja e filmit, e drejtor fotografie është Alex Boom.

‘Zgjoi’ producent ka Yll Ukën ndërsa grupi i bashkë producentëve të filmit përbëhet prej Valon Bajgores, Agon Ukës, Britta Rindelaubit,Kristjan Burovskit, Tomi Salkovskit dhe Paskal Seminit. Ndërsa për montazhin e filmit janë përkujdesur Felix Sandri e Enis Saraçi.

“Sundance Film Festival” i cili daton që prej vitit 1978, është njëri ndër festivalet më të mëdha të filmit në Amerikë dhe jo vetëm.

Për dallim nga vitet e mëparshme këtë vit festivali zgjati vetëm shtatë ditë dhe filmat e edicionit të sivjetmë u shfaqën vetëm në disa kinema për vetura pasi që pjesën më të madhe të programit ata u shfaqën në platformën online të programit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore