Shqipëria

Zgjidhja për çështjen e emigrantëve shqiptarë në Britani mund të vijë të hënën


Një marrëveshje e mundshme e nënshkruar mes Britanisë së Madhe dhe Francës, mund të jetë çelësi i zgjidhjes së çështjes së emigrantëve shqiptarë, të cilët kalojnë ilegalisht kanalin e “La Manche”.

Të paktën kështu po komentohet në mediat britanike orët e fundit, duke iu referuar burimeve nga e përditshmja “The Telegraph”, e cila ka mësuar se firma për akordin e bashkërendimit të operacioneve të Policisë Kufitare franceze dhe asaj britanike, mund të arrihet që me fillimin e javës.

Nëse kjo gjë ndodh, atëherë pjesa bregdetare franceze, do të jetë e ruajtur shumë herë më shumë se sa është tani, duke shtuar në kontrolle edhe forcat vullnetare.

“Plani” i Londrës, është ai i të bindurit Parisin ta ndihmojë palën angleze në këtë drejtim.

Prej daljes nga Bashkimi Evropian, edhe autonomia kufitare ka qenë problem më vete për monarkinë ishullore, pasi ikja nga eurozona nënkuptonte edhe shterimin e bashkëpunimeve dypalëshe në nivele shumë të larta me partnerët evropianët.

Kjo të paktën, deri në rimodelimin dhe ristrukturimin e raporteve që vendet kanë njëra me tjetrën.

Asgjë nuk është bërë e ditur ndërkohë nga Elysee-ja, nëse vërtetë ky dakordësim mund të arrihet.

Por, sekretarja britanike për Punët e Brendshme, Suella Braverman, në një editorial të sajin për gazetën angleze “The Mail Plus”, ka shpjeguar se në realitet, ky ka qenë prej fillimit plani i saj për të penguar kalimin e shqiptarëve drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Këta të fundit janë kthyer në “problem”, pasi janë shtuar kalimet me gomone dhe mjete të tjera lundruese, ku sipas autoriteteve britanike, më shumë se gjysma e kalimeve janë shtetas shqiptar.

Ndaj, mbi këtë premisë, Braverman i emërtoi shqiptarët si “pushtues”, duke nxitur kështu një mori reagimesh, përfshi edhe nga ekzekutivi shqipta.

Vetë kryeministri, Edi Rama, deklaroi se rreth 140 mijë shqiptarë janë integruar tërësisht në jetën sociale britanike dhe japin kontribut për monarkinë.

Ndërkohë, më 12 nëntor, mbi 3 mijë e 500 shqiptarë, u dergjën rrugëve të Londrës, duke kërkuar shkarkimin e Braverman për deklaratat, e quajtura “diskriminuese”.

Një tjetër pjesë e planit Braverman ndërkohë, është edhe ai i një marrëveshjeje me Ruandën, për t’i dërguar emigrantët në burgjet e shtetit afrikan, duke i demoralizuar kështu qytetarët e huaj të kalojnë ilegalisht kufirin.

Por, mes Ruandës dhe Britanisë ende nuk ka një marrëveshje përfundimtare.

Ndaj, kjo me Francën, është ajo ku sekretarja e Brendshme synon më shumë.

Nëse do t’ia arrijë, duhet parë, por si deklaruar edhe më parë, ajo mund të zhvillojë edhe një vizitë në Shqipëri, për të shtruar terrenin e një bashkëpunimi më të frytshëm me institucionet e vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore