Shqipëria

Zgjidhen në Kuvend tre anëtarët e KLGJ dhe KLP


Në seancën e sotme parlamentare të 24 shkurtit janë zgjedhur me 84 vota kandidatët për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga trupa e pedagogëve të Fakultetit të Drejtësisë.

Ilir Rusi dhe Yllka Rupa do të jenë anëtarët që do të zëvendësojnë Maksim Çokun dhe Erjon Muharremajn në KLGJ.

Kurse për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për njërin vend që mbetet vakant nga kreu aktual Gent Ibrahimi u zgjodh kandidatja Mirela Bogdani, si e vetmja që ishte në garë.

Referuar procedurave ligjore për përzgjedhjen e anëtarëve të organeve të drejtësisë, kandidatët nga trupa e pedagogëve përzgjidhen në dy faza.

Fillimisht nga institucionet përkatëse të arsimit të lartë dhe së dyti nga një mbledhje e posaçme e rektorëve dhe dekanëve.

Më pas, Kuvendi zgjedh dy anëtarë për secilin institucion midis kandidatëve me votat e 2/3 të të gjithë anëtarëve.

Gjithashtu në seancë janë votuar disa projektligje dhe projektvendime.

Është miratuar me  107 vota pro Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare për  kontrollin e dëmit nga sistemet për mbrojtjen antivegjetative në anije”.

Gjithashtu edhe Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Organizatën Hidrografikë Ndërkombëtare” me po të njëjtat vota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore