Kosova

Zgjedhjet shtyhen, sepse presidentja e vlerëson ashtu – vendimi anti-kushtetues dhe precedenti i rrezikshëm që ka krijuar Osmani


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Vendimi i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani për shtyrjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok për 23 prill të vitit 2023, po konsiderohet që nuk është në harmoni me kushtetutën e Kosovës.

Këto zgjedhje ishin planifikuar të mbaheshin më 18 dhjetor, pasi përfaqësuesit e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë –, dhanë dorëheqje në fillim të nëntorit, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar makinat me targat ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.

Sipas juristit, Albert Krasniqi, ky veprim nuk ishte në kompetencë të presidentes Osmani.

Ai në një bisedë për Albanian Post, sqaron se edhe kur vendoset për një gjë të tillë janë disa rrugë ligjore të cilat duhet të ndiqen, e që Osmani s’i përfilli.

“Presidentja, nuk e ka për kompetencë të anulojë zgjedhjet, për kundër kësaj që e ka në kompetencë me shpallë datën e zgjedhjeve edhe nëse e shihni vendimin të cilin ajo e ka marrë, nuk është në kompetencë anulimi i zgjedhjeve as ndryshimi i datës për shkak se ka datë deri kur më së largu mund të mbahen zgjedhjet lokale që është jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë”.

“Do të thotë, pavarësisht arsyes që e ka pasur presidentja për shtyrjen e zgjedhjeve, kjo nuk është e mjaftueshme sepse duhet të ekzistoj edhe baza ligjore që ja mundëson shtyrjen e zgjedhjeve”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Krasniqi, tregon edhe formën se si është dashur të veprohet në një situatë të tillë.

“Mënyra si është dashur të bëhet ligjërisht ka qenë përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, pra, atëherë Kushtetuta e lejon do të thotë mohimin e disa të drejtave, aty hyn edhe e drejta e pjesëmarrjes do të thotë në zgjedhje, problem është te mosrespektimi i procedurave ligjore, por frika është që një rast i tillë mundet me u keqpërdor edhe në të ardhmen sa herë që partive në pushtet nuk ju përshtaten sondazhet”.

Mirëpo, jo ngjashëm sikurse Krasniqi mendon këshilltari i lartë në Qendrën për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Rajonal, Anton Nrecaj.

I kontaktuar nga Albanian Post, ai thotë se një vendim i tillë nuk mund të jetë antikushtetues.

Ai e lidh veprimin me nevojën e situatës, edhe pse Kushtetuta është e ndërtuar në parim dhe jo për situata partikulare.

Nrecaj thotë se nuk u shkel kushtetuta, sepse Osmani “e ka argumentuar arsyen përse po shtyhen zgjedhjet”.

“Në këtë rast zgjedhjet janë shtyrë për shkak të situatës së sigurisë, duke e pasur parasysh faktin që në Mitrovicë, siguria nuk është në nivelin e duhur edhe ka pasur sulme ndaj qendrave të Komisionit Qendror Zgjedhor”.

Ai shton se vendimi, “bie në harmoni me mandatin edhe obligimin detyrimin kushtetues që e ka presidentja”.

Sipas tij, në Veri s’mund të mbahen zgjedhje demokratike.

Por, pse s’mund të mbahen?

Sepse situata nuk është brenda normalitetit, sa i përketë sigurisë, prandaj edhe Krasniqi argumenton që njëherë duhej shpallje e gjendjes së jashtëzakonshme.

Por, Nrecaj thirret në faktin se “me kushtetutë, zgjedhjet duhet të jenë të lira dhe të barabarta për të gjithë. Për derisa 95 për qind e popullatës në atë zonë janë serbë dhe ata kontrollohen prej një partie politike, aty s’mund të ketë zgjedhje demokratike”.

Megjithatë, problemi është se zyrtarisht asnjë institucion nuk ia ka dhënë presidentes zyrtarisht informatën se s’ka kushte për zgjedhje.

Përkundrazi, Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme, thoshte se ka kushte dhe se policia mund të sigurojë ambient të sigurt për zgjedhje.

As Komisioni Qendror Zgjedhor në raportin për veriun, nuk rekomandoi zyrtarisht se duhet të shtyhen zgjedhjet.

Prandaj, marrja e vendimit nga presidentja, u bë krye në vete dhe nga përshtypja subjektive e saj për sigurinë në Veri.

Lënia në diskrecionin e presidentes që ta vlerësojë personalisht se ka apo nuk ka kushte, është precedent i rrezikshëm, pasi në të ardhmen, do të mund të keqpërdoret pozicioni dhe të ketë një president tjetër që shtynë zgjedhje, sepse tashmë ekziston rasti kur krejt çfarë duhet për shtyrje, është përshtypja e presidentit për situatën.

Situata në Veri

Kamionë të mëdhenj dhe autobusë vazhdojnë t’i bllokojnë rrugët në fshatin Rudarë të Komunës së Zveçanit, përkatësisht në rrugën që çon drejt pikës kufitare me Serbinë – Jarinjë.

Për shkak të situatës aktuale të sigurisë në Veri, edhe shkollat fillore dhe të mesme në katër komunat veriore nuk do të punojnë deri në njoftimin e radhës.

Pavarësisht, shtyrjes së zgjedhjeve në Veri të Kosovës, Serbia nuk ka ndalur sulmet në këtë pjesë.

Pjesëtarët e grupeve kriminale, mbështjellur fytyrat me maska, janë shndërruar në pamje të zakonshme në katër komunat veriore dhe gjithashtu numri i policisë së Kosovës është rritur ndjeshëm për t’iu përgjigjur kundërshtimit.

Vakumi i sigurisë në Veri u krijua për një çështje e cila tashmë ka përfunduar, por i kanë mbetur si zgjatime pasojat.

Kosova deshi të aplikojë vendimin e marrë nga Qeveria për konfiskimin e veturave me targa ilegale. U kundërshtua nga Serbia dhe serbët lokalë dhe u këshillua nga ndërkombëtarët të mos e bëjë. Qeveria më pas vendoi të sekuencojë vendimin dhe të vazhdojë me qortime e gjobitje për ato vetura që identifikohen me targa “KM…” të Serbisë. Serbët e Kosovës në revoltë lëshuan institucionet, pasi fillimisht pjesëtarët serbë të policisë refuzuan ta zbatojnë vendimin.

Policia e Kosovës, foto nga arkivi.

Meqë i dogjën mandatet në nivel politik, obligimi kushtetues thërriste për organizimin e zgjedhjeve. Duke përjashtuar vërejtjet për situatën e brishtë të sigurisë, presidentja Vjosa Osmani, e përkrahur nga Qeveria, shpalli datat 18 e 25 dhjetor si ditë zgjedhjesh të pjesshme për Mitrovicën e Veriut, Zubin Potokun, Zveçanin dhe Leposaviqin.

Edhe këtë vendim e shtyu qeveria e Kosovës, por nuk u shty dot kriza në veri, veçse u përshkallëzua.

Aktualisht, të gjitha sulmet po bëhen për shkak të Dejan Pantiç, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, i arrestuar të shtunën në pikën kufitare në Jarinjë, të cilit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj.

Pas arrestimit të tij, serbët lokalë në Veri bllokuan rrugët me barrikada në arteriet kryesore që çojnë në Jarinjë. Ata nuk donin që ai të transferohet në Prishtinë.

Policët u detyruan që ta mbajnë në pikën kufitar të arrestuar. Për shkak të tij, mbetën edhe vetë të bllokuar.

Ndërkaq, ndërkombëtarët dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve mes dy palëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore