Shqipëria

Zgjedhjet në Shqipëri: KQZ vendos të rinumërojë 520 kuti votimi


Komisioni  Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e radhës ka vendosur të rinumërojë 520 kuti votimi të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit deri në fund të këtij muaji.

Sipas udhëzimit të KQZ-së zgjedhja e e kutive do të jetë rastësore ose me kërkesë të palëve të interesuara me përcaktim.

Në vijim të kësaj në rast se do të ketë kërkesë nga palët e interesuara për të parë qendra votimi të caktuara, atëherë shpenzimet do të mbulohet paraprakisht nga vetë ata.

Sipas njoftimit zyrtar theksohet fakti se nuk lejohet rinumërimi i fletëve të votimit ose i materialit zgjedhor që është rinumëruar më parë.

Përkatësisht nga rinumërimi përjashtohen qendrat e votimit në Qarkun e Durrësit dhe Beratit – që janë rinumëruar më herët me kërkesë të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Për sa i përket votimit elektronik që u aplikua në njësinë Nr.10 në Tiranë, do t’i nënshtrohet një verifikimi të funksionimit të pajisjeve të teknologjisë në të gjitha qendrat e votimit në KZAZ-në nr. 40.

Nga ana tjetër numërimi i 10% të qendrave të votimit do t’i japë përgjigje faktit se cila ishte arsyeja e numrit të lartë të fletëve të pavlefshme – mbi 83 mijë votave.

Në përfundim bëhet me dije se qëllimi i rinumërimit të këtyre kutive nuk është për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve, por për të identifikuar problemet që u hasën në zgjedhjet e 25 prillit.

Zgjedhjet parlamentare të 25 prillit i ka fituar Partia Socialiste, për të tretin mandat radhazi e cila krijoi e vetme mazhorancën parlamentare, duke lënë pas Partinë Demokratike e cila përbën opozitën parlamentare së bashku me Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore