Zgjedhjet në Kosovë

Zgjedhjet lokale/ Për raundin e dytë diaspora mund të votojë deri më 12 nëntor


Ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se të gjithë qytetarët që kanë shtetësi të Kosovës e që janë regjistruar si votues jashtë vendit për raundin e pare të zgjedhjeve lokale të mbajtur më 17 tetor, për raundin e dytë mund të votojnë përmes postës deri më 12 nëntor.

Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale për kryetar komune do të zhvillohet në 21 komuna të vendit, në të cilat nuk ka arritur asnjëri nga kandidatët të marr më shumë se 50% të votave plus një votë.

Komunat në të cilat do të zhvillohet balotazhi janë: Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamush dhe Kllokot.

Ilustrim

KQZ ka thënë detaje lidhur me fletëvotimin për Kryetar Komune me anë të një vegze.

https://www.kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/ .

Gjithashtu, KQZ ka thënë se për dallim nga raundi i parë i votimit ku ishin më shumë se dy kandidatë thuajse në shumicën e komunave nëpër fletëvotim për kryetar, tani në raundin e dytë janë vetëm dy kandidatë.

Për të qenë fletëvotimi i vlefshëm, duhet të votohet vetëm njëri nga dy kandidatët.

Ndërsa sa i përket dërgimit të pakos me fletëvotim në adresë të KQZ-së, në njoftim thuhet se fletëvotimi i plotësuar vendoset në një zarf të pashënuar duke e mbyllur atë, ku pastaj zarfin me fletëvotim dhe një kopje të dokumentit identifikues duhet të vendoset në një zarf tjetër në të cilin duhet shkruar adresa: Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, votimi Përmes Postës, Posta nr. 6, Kutia Postare 351, 10 000 Prishtinë, Republika e Kosovës.

Zarfi e një votuesi mund të bashkohet me zarfet tjera të anëtarëve të familjes së ngushtë dhe të vendosen në një zarf postar të përbashkët, sipas udhëzimeve më lartë, thuhet në udhëzimin e KQZ-së.

KQZ ka caktuar edhe afatin e fundit se kur do duhet të mbërrijnë fletëvotimet në adresën e saj, në mënyrë që ato vota të jenë të vlefshme për të ju nënshtruar procesit të numërimit.

“Fletëvotimet për votim përmes postës, duhet të arrijnë në KQZ deri më 12 nëntor 2021”.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale numri i qytetarëve që kishin arritur të regjistrohen suksesshëm si votues jashtë Kosovës ishte 15 mijë e 532 votues.

Nga ana tjetër, KQZ-ja kishte pranuar 9 mijë e 610 zarfe me vota. Krahasuar me zgjedhjet nacionale të 14 shkurtit, kishte rënie të thellë të interesimit të diasporës për të votuar.

Për kë votoi diaspora?

Sipas rezultateve të numërimit të votave jashtë Kosovës nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) më 24 tetor, subjekti që më së shumti ka fituar vota në total të të gjitha komunave ishte Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 3 mijë e 158 vota.

Pas LDK-së është renditur Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 2 mijë e 692 vota e treta sipas rezultateve del Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 1 mijë e 482 vota si dhe subjekti i katërt ka dal Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 1 mijë e 198 vota.

Partitë Politike-Ilustrim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore