Lajme

“Zëdhënësi i Vetëvendosjes dhe asamblisti me dashje përhapen urrejtje e mosdurim”, thuhet në aktakuzën e ngritur ndaj tyre


Foto: Albanian Post.

Në aktakuzën që është ngritur kundër zëdhënësit të Lëvizjes së Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka dhe asamblistit të kësaj partie në Prishtinë, Egzon Azemi, për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit”, thuhet se të njëjtit kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjeteve sociale.

Në aktakuzën që është siguruar nga ‘Betimi për Drejtësi’, është thënë se me dashja kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mosdurim ndaj të dëmtuarve Bajraktari dhe Shefkiut.

“Ashtu që i pandehuri Arlind ka shpërndarë postimin me fjalët: “Ky aktgjykim është akttradhëti”, pastaj kanë vazhduar me postime tjera nxitëse “Për kë punon kjo Gjykatë!?, e të ngjashme, ndërsa i pandehuri Egzon ka postuar shkrimin me fjalët: “Pas atentatit që kreu në Paris, ndaj Esat Pash Toptanit, ndër të tjera, Avniu tha”, ku këtij shkrimi i dyshuari i ka bashkangjitur një fotografi me përshkrimin: “Tradhtarët plumbin e kanë hak”, thuhet në aktakuzën e siguruar nga Betimi për Drejtësi.

Në aktakuzën e ngritur janë të përfshirë edhe Qerim Elshani dhe Edi Zenelaj, të cilët po akuzohen për “kanosje”

Të njëjtit po akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, Mentor Bajraktari dhe prokurorin special Afrim Shefkiu.

Sipas aktit akuzues, me këto veprime të njëjtit kanë ndërmarrë veprime të rrezikshme, nxitëse e linçuese me tendenca për të ndikuar apo penguar ushtrimin e funksionit të të dëmtuarve e cila ka mund të prishë rendin publik dhe të dëmtojë imazhin dhe integritetin e tyre personal.

“Ashtu që i pandehuri Qerim ka komentuar në postimin e të pandehurit Egzon Azemi me fjalët: “Atij jo plumin po bumen n’goj po u dashke me ja leshu që mos me i mbet as copëza me hy n’dhe në tokën tonë!”, ndërsa i pandehurti Zenalaj kishte ndërmarrë aksion duke vendosur grafite në mure me mbishkrimin “Shtyllë e Turpit Gjyqtari Mentor Bajraktari dhe Prokurori Afrim Shefkiu”, me ç’rast tek të dëmtuarit kanë shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetë”, thuhet në aktakuzë.

Me këtë secili veç e veç po akuzohen se kanë kryer veprën penale të kanosjes nga neni 181 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Më 8 nëntor, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur të mërkurën aktakuzë kundër zëdhënësit të Lëvizjes së Vetëvendosjes Arlind Manxhuka dhe asamblistit të kësaj partie në Prishtinë, Egzon Azemi, për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.

Aktakuzë ndaj zëdhënësit të Vetëvendosjes për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore