Lajme

Aktakuzë ndaj zëdhënësit të Vetëvendosjes për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”


Foto: Albanian Post.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur të mërkurën aktakuzë kundër zëdhënësit të Lëvizjes së Vetëvendosjes Arlind Manxhuka dhe asamblistit të kësaj partie në Prishtinë, Egzon Azemi, për “nxitje të përçarjes dhe mosdurimit”.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar nga Prokuroria Speciale.

“AM dhe E.A. duke keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare nëpërmjet rrjetit social ‘Facebook’, me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje e mos durim ndaj të dëmtuarve, prokurorit A.Sh dhe gjyqtarit M.B, lidhur me një vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit D.P.”, thuhet në komunikatën për media.

Po ashtu, aktakuzë është ngritur edhe ndaj dy personave të tjerë Q.E dhe E.Z për të njëjtën vepër penale.

Ky rast lidhet me deklarimet e tyre për lirimin e ish policit serb Dejan Pantiq, i cili dyshohej për “terrorizëm në bashkëkryerje”.

Manxhuka dhe Azemi, kishin kritikuar Gjykatën për lirimin e Dejan Pantiç.

Më 28 dhjetor të 2022, zëdhënësi për media në Lëvizje Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka reaguar për ndërrimin e masës së paraburgimit të ish-zyrtarit policor serb, Dejan Pantiç në arrest shtëpiak duke thënë se “ky aktlirim është akt tradhtie”.

Më 20 tetor, ish-polici i Kosovës nga komuniteti serb, Dejan Pantiç, i cili akuzohej për sulme terroriste, në zyret e Komisionit Qendror të Zgedhjeve, ishte liruar edhe nga arresti shtëpiak pas deponimit të dorëzanisë në shumën prej 30 mijë euro.

Pantiç lirohet nga arresti shtëpiak me 30 mijë euro dorëzani

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore