Lajme

Zbehet shpresa teksa universitetet në Afganistan rihapen pa vajzat


Universitetet afgane kanë filluar të rihapen pas një pushimi dimëror.

Por ky rikthim është një tjetër kujtesë e dhimbshme për vajzat e reja se si bota e tyre po tkurret.

Në fund të vitit të kaluar, Ministria e Arsimit të Lartë njoftoi se studentet femra do të ndalohen të kthehen në klasë, duke ndryshuar politikat që i kishin lejuar të vazhdonin studimet e tyre pasi qeveria talebane mori pushtetin në Kabul në vitin 2021.

“Plani im ishte të mbaroja universitetin, të bëja masterin dhe më pas doktoraturën. Doja të punoja dhe t’i shërbeja kombit tim, popullit tim, vendit tim. Nuk mund ta bëj këtë tani”, ka thënë një nga studentet.

Vetëm disa muaj më parë, ajo dhe miqtë e saj kishin folur se si të përgatiteshin për diplomim. Kurse tani kanë vetëm kujtimet e kohëve të lumtura shpresëdhënëse me miqtë.

Atefa, e vetmja që dëshiron të lejojë që emri i saj të përdoret për artikullin, është një studente 19-vjeçare e shkencave kompjuterike në Herat, e cila nuk pati as mundësinë për të krijuar ato kujtime.

Ajo sapo kishte kaluar provimin pranues në universitet dhe kishte planifikuar të bëhej një zhvilluese e faqeve të internetit, por gjithçka u tret.

Vajzat tashmë janë përjashtuar nga shkollat e mesme vitin e kaluar përpara se qeveria të aplikonte të njëjtin ndalim për studentët e universitetit.

Disa zyrtarë talebanë thonë se kjo është e përkohshme. Ata kanë paraqitur shpjegime të ndryshme, nga shkeljet e pretenduara të një kodi të rreptë të veshjes, te mungesa e fondeve, te nevoja për të rimodeluar planprogramin sipas linjave islame.

Por ka prova të mosmarrëveshjeve brenda radhëve, me klerikët që këshillojnë liderin suprem taleban Hibatullah Akhundzada, i cili kundërshton fuqimisht arsimimin dhe punën për gratë.

Realiteti është se shumica e universiteteve kishin vendosur masa për të ndarë burrat dhe gratë.

“Nëse na thonë të veshim hixhab, ne jemi të lumtura ta bëjmë këtë. Nëse duhet të kemi një klasë të veçuar, ne jemi të lumtura që kjo të ndodhë, por thjesht na lejoni të mësojmë”, ka thënë një tjetër studente.

Ndalimi ka qenë traumatik edhe për studentët meshkuj.

“Kthimi në klasë u duk si një funeral. Ndjenja ishte sikur dikush kishte vdekur në universitetin tonë. Të gjithë ishin vërtet të mërzitur. Unë e di arsyen, por kisha frikë të flisja sepse mendova se qeveria talebane do të më arrestonte”, ka thënë një prej tyre.

“Nuk mund ta ndërtoni vendin tonë vetëm me burra. Ne kemi nevojë për gra që të punojnë me ne krah për krah”, ka thënë një tjetër student.

Një student masteri ka thënë se një bojkot do të ishte humbje kohe, sepse asgjë nuk do të ndryshonte. Por ai i sfidoi talebanët të “tregojnë një citim të vetëm në Kuran se vajzat nuk duhet të arsimohen”.

Trajtimi i talebanëve ndaj grave dhe vajzave ka zemëruar komunitetin ndërkombëtar, duke rritur izolimin e Afganistanit në një kohë kur ekonomia e tij është në kolaps.

Një raport i OKB-së i publikuar këtë javë ka zbuluar se kufizimet mund të përbëjnë krime kundër njerëzimit.

Në një intervistë, ministri i Jashtëm i talebanëve Amir Khan Muttaqi pranoi se kishte mangësi kur ishte fjala për punësimin dhe arsimimin për gratë.

Por “nuk është sikur gjithçka është mbyllur plotësisht”, ka thënë ai, duke vënë në dukje se dhjetëra mijëra gra ishin ende duke punuar në ministritë e qeverisë.

“Shpresojmë që problemet të zgjidhen gradualisht. Bota duhet të ketë durim për këtë”, ka shtuar ai.

Disa studente janë kapur pas një thashethemi se ndalimi i arsimit mund të hiqet më 23 mars. Ky është fillimi zyrtar i vitit akademik – universitetet janë hapur herët në mënyrë që studentët të mund të plotësojnë mësimet që kanë humbur vitin e kaluar.

Por kjo duket se është veç një shpresë e dëshpëruar e lindur nga një ndjenjë e thellë humbjeje.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore