Shqipëria

Zbardhet dosja e arrestimit të Vangjush Dakos


Pas vetë-dorëzimit të ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako është zbardhur edhe dosja e arrestimit të tij së bashku me 9 persona të tjerë.

Sipas dosjes, SPAK ka të zbardhura shkeljet ligjore që janë kryer nga ana e ish-zyrtarëve të Bashkisë së Durrësit për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve.

Vangjush Dako akuzohet për dy episode të ndryshme, nën të njëjtën akuzë, atë të shpërdorimit të detyrës.

Në rastin e parë bëhet fjalë për dëmtimin e një pallati në Durrës që u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Ndërsa rasti i dytë përmend një procedurë prokurorimi projekt zhvillimor vlera e të cilit është “fryrë” duke kapur shifrën e 220 milionë lekëve të vjetra, nga përllogaritjet që ka bërë SPAK.

Më në detaje, vërehet se kontrolli i kuotës është bërë më 27 nëntor 2014 dhe pagesa e tarifës është bërë më 16 shkurt 2015.

Më 19 maj 2015 është bërë pagesa e tarifës për lejen e përdorimit dhe tetë ditë më pas është miratuar certifikata e përdorimit nga drejtori i Planifikimit të Territorit, Adhurim Qehajaj.

Sipas dosjes së zbardhur, në të njëjtën datë ky dokument është nënshkruar nga Vangjush Dako, në cilësinë e kryebashkiakut.

Në vijim, shkresa i është dërguar Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës.

Kujtojmë se 10 personat e arrestuar nga SPAK për këtë dosje janë: Vangjush Dako, Adhurim Qehajaj, Ermal Lama, Fatmir Ejupi, Adrian Bulku, Fiqiri Fareuku, Adnand Toçilla, Meri Semini Priftuli, Ferzilet Hajderi, Djana Dedja.

I vetëdorëzuar, ai tashmë akuzën e ka të komunikuar dhe prej 7 qershorit, procesi do të fillojë, me dhënien e shpjegimeve nga vetë Dako fillimisht.

Më 30 korrik, i etiketuar si non grata nga SHBA-të, sot drejtësia shqiptare po merr veprime konkrete ndaj tij.

Rasti Dako, i cili më parë është përfolur edhe për dosjen e famshme 339, merr rrjedhë tjetër tashmë dhe për socialistët – sërish – situata nuk është e pëlqyeshme, ashtu si vetë kryeministri Edi Rama e komentoi pas ngjarjes.

Por, për Shqipërinë, e domosdoshme për t’u pastruar nga figura që potencialisht, janë të inkriminuara.

Kallëzime të shumëfishta, burg dhe një proces i hapur – Orët që çuan në arrestimin e Vangjush Dakos

Dako nën arrest, për çfarë akuzohet konkretisht?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore