Shqipëria

Kallëzime të shumëfishta, burg dhe një proces i hapur – Orët që çuan në arrestimin e Vangjush Dakos


Dy akuza për shpërdorim detyre, një akuzë për shkelje dhe një tjetër, në prag të zgjedhjeve të vitit 2021.

Janë këto rrethanat që e kanë çuar Vangjush Dakon përpara drejtësisë mbrëmjen e 6 qershorit, kur ai u vetëdorëzua në Drejtorinë e Policisë Tiranë, pasi Prokuroria e Posaçme SPAK lëshoi një urdhër arresti.

“Ishte në Tiranë”, deklaroi avokati i Dakos, Petrit Ismaili, pasi klientit të tij iu prezantua edhe masa e sigurisë.

Një prej akuzave, siç theksoi ai, i takon banorëve të një pallati në Durrës, të cilët mendojnë se ka pasur shkelje dhe rasti i tyre, lidhet ngushtë edhe me tërmetin e 26 nëntorit 2019, pasi pikërisht ajo godinë, u dëmtua tepër.

Një tjetër, lidhet me një kallëzim që deputeti demokrat, Ferdinand Xhaferi, ka bërë kundrejt Dakos për zgjedhjet e vitit 2021, sa i takon implikimit në shit-blerjen e votës.

Mbi të gjitha, akuza për shpërdorim të parave publike dhe tenderimeve të jashtëligjshme, të cilat përmblidhen në aktin e shpërdorimit të detyrës.

Përballjen, Dako do ta bëjë vetë dhe për këtë, ka garantuar edhe avokati i tij.

“Ai është vetëdorëzuar. Ai ka qenë në kontakt me autoritetet, ka dhënë të gjitha sqarimet e nevojshme, bëhet fjalë për vendime kolegjiale. Bëhet fjalë për një pallat me leje. Nuk besoj të ketë asnjë metër katror jashtë lejes. Ai është i gatshëm të përballet me drejtësinë”.

Pallati i përfolur në dosjen e Dakos

Ndërsa, mbi “trukun” e vjetër të gjendjes së keqe shëndetësore të zyrtarëve, Ismaili sërish ka qenë i qartë: Dako nuk ka probleme shëndetësore, përtej stresit dhe pjesës emocionale.

Kështu, duke implikuar se përballja me drejtësinë do të jetë nga brenda qelisë dhe jo siç rëndom ndodh në Shqipëri, jashtë saj.

Por si rrodhi realisht ngjarja në pak orë dhe për çfarë akuzohet konkretisht Dako?

Vangjush Dako, ish-kryetar i Bashkisë së Durrësit, është rikthyer në vëmendjen mediatike mbrëmjen e 6 qershorit, kur Prokuroria e Posaçme do të lëshonte për të dhe për gjashtë zyrtarë të tjerë të bashkisë, një urdhër-arrest, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit.

Dako, shumë herë i përfolur rreth ngjarjeve të tilla, por asnjëherë më parë i akuzuar, ishte thirrur në SPAK më 16 mars lidhur me një çështje që asokohe ishte e padeklaruar nga SPAK dhe as vetë ai nuk dha detaje.

Por, urdhër-arrestin, duket se nuk e ka kundërshtuar dhe menjëherë, pas minuta pas publikimit mediatik të tij, ai u vetëdorëzua në Drejtorinë e Policisë Tiranë.

Vetëdorëzohet Vangjush Dako, pas urdhrit të SPAK

Rasti mbart ende paqartësi konkrete, të cilat SPAK duhet t’i bëjë publike lidhur me arrestimet e bujshme.

Paraprakisht, dihet se rasti lidhet me një pallat në qendër të Durrësit, të cilit Dako i ka dhënë 12 vjet më parë leje për t’u ndërtuar dhe madje, kjo leje është abuzuar duke shtuar dhe kate mbi. Por, veprime për prishjen nuk janë marrë…përkundrazi, pallati qëndroi në këmbë.

Kjo, deri më 26 nëntor 2019, kur një tërmet i fuqishëm goditi zonën e Durrësit, me lëkundje që u ndjenë në gjithë Shqipërinë dhe dëme shkatërruese në disa qarqe të vendit.

Ky pallat në Durrës, ishte ndër më të dëmtuarit dhe banorët, nuk ia kanë falur Dakos sa duket lejen e dhënë pa marrë mbrapsht kriteret e një godine të duhur për jetesën e sigurt që atyre që e quanin objektin shtëpi.

Në disa dokumente që Albanian Post ka arritur të sigurojë, janë 15 kallëzues lidhur me këtë rast dhe Dako, është pikërisht i kallëzuari i parë.

Më tej, drejtori i Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të territorit, Adhurim Qehajaj, është po ashtu pjesë e të kallëzuarve dhe i arrestuar gjithashtu.

Punonjës të tjerë të bashkisë, kallëzohen, së bashku me kompaninë Ndregjoni, e cila ka ndërtuar objektin.

Pjesë e të kallëzuarve, është edhe kryetarja aktuale e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, por lidhur me të, asnjë veprim nuk është marrë deri tani të paktën.

Akuza, nuk lidhet vetëm me korrupsionin sipas kërkesës, por edhe me vrasje në rrethana të tjera cilësuese, pasi banorëve u është cenuar jeta në atë pallat të dëmtuar brutalisht prej tërmetit.

Po ashtu, në dosjen e SPAK për Dakon, qarkullon edhe një çështje tjetër, me vlerë 20 milionë lekë, për tenderin e derdhjes së rërës në plazhin Currila, mbi të cilat akuzohet ish-kreu i Bashkisë, se ka shpërdoruar detyrën.

I vetëdorëzuar, ai tashmë akuzën e ka të komunikuar dhe prej 7 qershorit, procesi do të fillojë, me dhënien e shpjegimeve nga vetë Dako fillimisht.

Më 30 korrik, i etiketuar si non grata nga SHBA-të, sot drejtësia shqiptare po merr veprime konkrete ndaj tij.

Rasti Dako, i cili më parë është përfolur edhe për dosjen e famshme 339, merr rrjedhë tjetër tashmë dhe për socialistët – sërish – situata nuk është e pëlqyeshme, ashtu si vetë kryeministri Edi Rama e komentoi pas ngjarjes.

Por, për Shqipërinë, e domosdoshme për t’u pastruar nga figura që potencialisht, janë të inkriminuara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore