Shqipëria

Zbardhet agjenda e Ramës në “Open Balkan”


Të martën e 7 qershorit është zbardhur agjenda e samitit të nismës rajonale “Open Balkan”, e cila do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pritet të mbërrijë pasditen e së martës në Ohër. Më pas, krerët e delegacioneve do të zhvillojnë një darkë pune.

Tre janë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor – Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Serbi – që e kanë përqafuar nismën rajonale dhe ishin të parët që morën iniciativën për të nënshkruar një sërë marrëveshjesh në samitin që u mbajt në Tiranë në fund të dhjetorit të vitit 2021.

Sakaq, të mërkurën e 8 qershorit është parashikuar dhe mbajtja e samitit mes këtyre vendeve në orën 10:00.

Seanca e parë plenare ka të bëjë me turizmin, ndiqet më pas me kulturën. Këto dy seanca do të përmbyllen në orën 12:15.

Ndërkohë 15 minuta më vonë do të zhvillohet takimi dypalësh i liderëve – kryeministri Rama, Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri maqedonas Dimitar Kovaçevski – nismëtarë të “Open Balkan”.

Një orë më pas do të nënshkruhen edhe marrëveshjet në kuadër të “Ballkanit të Hapur”.

Samiti i Tiranës

Pas nënshkrimit, liderët do të dalin në një konferencë për shtyp.

Po ashtu, ata do të zhvillojnë dhe një vizitë në manastirin e Shën Naumit, si dhe do të eksplorojnë burimet e liqenit të Ohrit me varkë.

Rama, Kovaçevski, Vuçiç dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, do t’u jepet çmimi i lidershipit rajonal për nismën e Ballkanit të Hapur.

Këtë do ta marrin nga Kryetari i Dhomës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, Branko Azeski, në 100-vjetorin e dhomës së tyre.

Pasditen e 8 qershorit, kryeministri Rama do të kthehet në Shqipëri.

Cilët janë të ftuar?

Kujtojmë që ftesë për t’iu bashkuar kësaj nisme kanë marrë edhe Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina.

Këto dy të fundit do të marrin pjesë si vëzhguese në këtë samit, ndërsa Kosova nuk e ka shprehur hapur kundërshtimin edhe të këtij roli.

Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, dhe Kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Zoran Tegeltrija, do të përfaqësojnë vendin e tyre.

Pjesëmarrës në këtë samit do të jetë dhe një zë lobues i “Open Balkan”, komisioneri evropian për Zgjerimin Oliver Varhelyi dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore