Lajme

Vuçiç më 7 dhe 8 qershor në Ohër, merr pjesë në Samitin e “Ballkanit të Hapur”


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të marrë pjesë në Samitin e nismës së Ballkanit të Hapur që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë Veriore më 7 dhe 8 qershor, raporton Danas.

Vuçiç pritet të takohet me kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski dhe të Shqipërisë, Edi Rama.

Po ashtu janë planifikuar takime të veçanta me kryeministrin malazez Dritan Abazoviç dhe kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës, Zoran Tegeltija.

Ndryshe nga Vuçiç, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka refuzuar pjesëmarrjen në këtë Samit.

Sipas Kurtit, procesi i Berlinit mbulon shumë iniciativa rajonale, duke përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u miratua dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian.

“Ne jemi të angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit”, pati thënë Kurti.

“Siç e dini, në kuadër të Procesit të Berlinit Serbia kërkon trajtim të pabarabartë për qytetarët e Kosovës dhe bllokon çdo marrëveshje brenda Tregut të Përbashkët Rajonal që mundëson bashkëpunim rajonal të bazuar në parimet e barazisë”.

Ndërkaq kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, lajmëroi se do të jetë prezent si vëzhgues.

Disa nga kolegët qeveritarë të tij tanimë kanë dalë me paralajmërime publike që ai nuk duhet të nënshkruajë asnjë dokument nëse nuk dëshiron të rrezikojë stabilitetin e degës ekzekutive.

Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nënshkruan disa marrëveshje vitin e kaluar, të cilat ndër të tjera do të rezultojnë me heqjen e kontrolleve kufitare dhe doganore nga 1 janari 2023, gjë që do të lehtësojë importin, eksportin dhe lëvizjen e mallrave.

Tre shtete kanë lejuar qytetarët e tyre të kalojnë kufijtë vetëm me letërnjoftim.

Në fillim të vitit filloi të aplikohej një marrëveshje e cila mundësoi tregtimin e shpejtë të produkteve agroushqimore.

Njëra prej marrëveshjeve parashikon akses më të lirë në tregun e punës, e cila planifikon të thjeshtojë procedurat për marrjen e lejeve të punës për qytetarët e të tre vendeve, si dhe përdorimin e lejeve të punës të marra në territorin e secilit prej tyre (të ashtuquajturat e vetme lejet e punës).

Gjithashtu, qytetarët e të tre vendeve do të kenë akses të barabartë në lejet e qëndrimit.

Marrëveshjet përcaktojnë heqjen e barrierave tregtare në fushën e bujqësisë dhe ndihmën e ndërsjellë në situata emergjente.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore