Shqipëria

Një tjetër hap i nismës Open Balkan, në maj prezantohet karta elektronike e identitetit


“Serbia ka përfunduar gjithçka që është e nevojshme për përdorimin e letërnjoftimeve elektronike dhe një lejeje të vetme pune – si pjesë e nismës ‘Open Balkans’ për qytetarët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë – e cila është planifikuar të zbatohet deri në fund të majit”.

Kështu ka deklaruar këshilltari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Serbisë (CCIS), Nenad Gjurdjeviç.

Për agjencinë e lajmeve “Tanjug”, ai tha se, aktualisht janë duke punuar në lidhjen e sistemit serb me atë të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në një sistem të vetëm.

Kështu pritet që karta e parë elektronike e identitetit të prezantohet zyrtarisht në samitin e ardhshëm të tre vendeve në Shkup.

Sipas informacioneve të fundit, të tria vendet kanë protokolle të harmonizuara për lidhjen e skemave të numrave të identifikimit, të cilat do t’u mundësojnë qytetarëve qasje në tregjet e punës dhe aktualisht po punohet për krijimin e një sistemi IT, që do ta mundësojë këtë.

Këshilltari theksoi se, marrëveshja përkatëse është nënshkruar në fund të vitit në Tiranë dhe se Serbia është e gatshme të vendosë menjëherë numrat e identifikimit për marrjen e lejeve të punës, të cilat do të rregullojnë detajet e qëndrimit të punëtorëve në të tria vendet.

“Shpresojmë që në samitin e ardhshëm, i cili duhet të mbahet në fund të majit në Shkup, do të lëshohet karta e parë elektronike e identitetit nën kujdesin e nismës ‘Open Balkans’”, përfundoi ai.

Po ashtu, Qeveria shqiptare gjatë muajit shkurt ka miratuar dy vendime për tregun e punës dhe identifikimin elektronik të qytetarëve në Ballkanin Perëndimor.

Këshilli i Ministrave pas propozimit të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, dhe ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, vendosi miratimin e marrëveshjes për kushtet për akses të lirë në tregun e punës në Ballkanin Perëndimor.

Kështu, të gjithë qytetarët e vendeve të Ballkanin Perëndimor mund të lëvizin dhe punojnë duke shmangur burokracitë.

Një marrëveshje tjetër është ajo e ndërlidhjes së skemave për identifikimin elektronik të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.

Të gjitha këto në kuadër të nismës Open Balkan, iniciuar nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Me anë të këtij vendimi, qytetarët nga të tre vendet do të mund të kenë akses të barabartë për leje pune dhe qëndrimi në të tre vendet.

Më herët, më 3 janar, transportimi i produkteve ushqimore dhe bujqësore nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, bëhet “shpejt dhe lehtë”.

Kjo u bë e ditur nga këshilltari në Ministrinë e Agrokulturës në Serbi, Gorann Gjakoviç, për emisionin “Jutarnji dnevnik”.

“Mes tre vendeve pjesëmarrëse, nënshkruese të Ballkanit të Hapur, praktikisht nuk do të ndërlikime procedurale të eksportimit të produkteve agrokulturore dhe ushqimore brenda rregullativave”, ka thënë Gjakoviç.

Më tej, ai ka ravijëzuar se tregtia e lirë e produkteve ushqimore ndërmjet shteteve nënshkruese nënkupton para së gjithash ata që eksportojnë produkte bujqësore dhe ushqimore – mbi 600 kompani i eksportojnë këto produkte në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore