Rajoni

Zaev në Forumin Delphi: Na duhet një Ballkan i shekullit 21, i integruar në BE


Kryeministri i Republikës së Maqedonisë Veriore, Zoran Zaev, në Forumin Ekonomik Delphi në Athinë, diskutoi arritjet e Marrëveshjes së Prespës, bashkëpunimin me Greqinë fqinje në fushën politike dhe zhvillimin ekonomik.

Po ashtu dhe përfitimet e anëtarësimit në NATO dhe e ardhmja evropiane e Maqedonisë Veriore ishte një nga pikat kyçe të Forumit.

Në seancë morën pjesë gjithashtu zëvendësKryeministrat Fatmir Bitiqi dhe Nikola Dimitrov, si dhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini.

“Kemi zgjidhur çështjen e emrit të vendit tim, për të mos vonuar, për të mos llogaritur, për t’i dhënë rajonit një Ballkan të ri, një Ballkan të shekullit 21 në të cilin e kaluara nuk do të jetë pengesë për një të ardhme të përbashkët Evropiane”, u shpreh Zaev rreth Marrëveshjes së Prespës.

Sipas tij, me marrëveshjen, hoqën pengesën e fundit për anëtarësimin në NATO dhe u bëmë 30 anëtarë të aleancës. Gjithashtu u shpreh krenar që Maqedonia e Veriut arriti një marrëveshje me Greqinë dhe që sot janë anëtare të NATO-s.

“Ne kemi nevojë për mbështetjen e Greqisë në rrugën tonë evropiane dhe ne jemi mirënjohës që e morëm atë,” tha Zaev.

Nga Forumi Ekonomik Delphi në Athinë, Kryeministri Zaev tha se ata kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm me homologun e tij Mitsotakis. Po ashtu theksoi dhe marrëdhënien e mirë fqinjësore të Maqedonisë së Veriut, e cila, sipas tij, përpiqet të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura përmes dialogut.

Lidhur me bashkëpunimin me Bullgarinë, Zaev tha se është në pritje të një zgjidhje.

“Rajoni ynë duhet të hyjë në një epokë bashkëpunimi për prosperitetin e të gjithë popujve tanë. Për të forcuar bashkëpunimin ekonomik, investimet dhe besimin, në mënyrë që të promovojmë bashkëpunimin tregtar,” tha Zaev.

Kryeministri theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian i të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe bashkëpunimi intensiv rajonal, hedhin bazat për zhvillimin, sigurinë dhe të ardhmen e rajonit.

Thellimi i integrimit ekonomik dhe bashkëpunimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimor përmes të gjitha iniciativave ekzistuese është një përparësi e të gjithë popujve të rajonit tonë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore