Financa

Xi Jinping pritet t’i rezistojë presionit të tregut për të rritur përpjekjet stimuluese të Kinës


Pekini pritet t’i rezistojë presionit të tregut për një stimul shumë më të fortë për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike të Kinës në ngjarjen kryesore vjetore politike këtë javë, me Presidentin Xi Jinping të fokusuar në qëllimin afatgjatë për ta kthyer vendin në një superfuqi të përparuar të prodhimit, sipas analistëve.

Mijëra delegatë nga e gjithë Kina do të zbresin në Pekin për seancën e hapjes së Kongresit Popullor Kombëtar, ku zyrtari numër dy i Xi, Kryeministri Li Qiang, pritet të paraqesë një “raport pune” duke përshkruar objektivat e vendit për rritjen ekonomike dhe shpenzimet ushtarake, si dhe prioritetet e politikave.

Takimi do të shqyrtohet për shenja se si partia komuniste, e cila do të festojë 75 vjetorin e Republikës Popullore të Kinës këtë vit, planifikon të merret me atë që analistët e shohin si pengesa të shumta gjeopolitike, demografike dhe ekonomike me të cilat përballet vendi.

Këto variojnë nga kriza e pasurive të paluajtshme, presionet deflacioniste dhe besimi i ulët i investitorëve te rritja e rezistencës evropiane dhe amerikane ndaj eksporteve të Kinës, veçanërisht të automjeteve elektrike.

“Raporti i punës së qeverisë do të synojë të ringjallë besimin e konsumatorëve dhe të biznesit përmes masave stimuluese dhe masave për të mbështetur sektorin privat”, ka thënë Neil Thomas, një bashkëpunëtor në Qendrën për Analizën e Kinës të Institutit të Politikave të Shoqërisë së Azisë.

“Xi nuk duket se është në panik dhe po kthehet në stimulim masiv ose qasje të reja për të provuar dhe ringjallur rritjen. Xi i sheh lëkundjet aktuale ekonomike të Kinës si dhimbjen afatshkurtër të nevojshme për të arritur përfitimin afatgjatë të vizionit të tij për zhvillim me cilësi të lartë”, ka shtuar ai.

Analistët besojnë se bazuar në parashikimet provinciale për rritjen e produktit të brendshëm bruto këtë vit, Li do të vendosë një objektiv prej 5 për qind për ekonominë kombëtare.

Kjo do të përputhej me objektivin e vitit të kaluar, i cili ishte më i ulëti në dekada pasi një krizë e pasurive të paluajtshme dhe rënia e çmimeve për eksportet e Kinës minuan rritjen, por do të ishte më e vështirë për t’u arritur në vitin 2024, kanë thënë analistët.

Mbledhja ka pak autonomi, por Pekini e përdor atë për të miratuar ligje, për të shpallur ndryshimet e personelit dhe për të miratuar politikat e tij.

Xi përdori seancën e vitit të kaluar, kur u inaugurua për një mandat të tretë të paprecedentë si president, për të akuzuar SHBA-të për “përmbajtjen” e Kinës.

Këtë vit, Xi pritet të jetë më i përmbajtur pasi ai dhe presidenti amerikan Joe Biden u takuan në San Francisko në nëntor.

​ Por analistët do të vëzhgojnë nga afër takimet e tij me mbledhje të ndryshme të delegatëve, duke përfshirë përfaqësuesit e provincave dhe ushtrinë, e cila ka qenë nën një re që kur ai hoqi papritur ministrin e Mbrojtjes Li Shangfu vitin e kaluar si pjesë e një spastrimi gjithëpërfshirës.

Analistët po ashtu kanë thënë se Xi mund të përdorë mundësinë për të shpallur një ministër të ri të Jashtëm për të zëvendësuar Wang Yi, kryediplomatin e Kinës, i cili u riemërua në këtë post vitin e kaluar pasi edhe Qin Gang u hoq papritur nga puna e tij pa shpjegime.

Sa i përket ekonomisë, organi drejtues i partisë, Byroja Politike, dha një parashikim të mundshëm të raportit të punës së Li Qiang javën e kaluar kur njoftoi pas takimit të tij mujor se “puna e këtij viti duhet të vazhdojë në kërkimin e përparimit duke ruajtur stabilitetin”.

Sipas tij, “politika fiskale proaktive duhet të intensifikohet siç duhet”. Po ashtu ai foli për politikë të kujdesshme monetare, por dha pak detaje.

Ekonomistët janë të mendimit se kjo ishte një aluzion se Pekini po planifikonte vetëm një stimul të përmbajtur për të mbështetur rritjen.

Shumë ekonomistë argumentojnë se nevojitet një stimul shumë më gjithëpërfshirës që synon konsumin për të nxjerrë ekonominë nga gjendja e keqe.

Për të arritur një rritje prej 5 për qind, Pekini ndoshta do të detyrohet të tejkalojë objektivin e zakonshëm të deficitit fiskal prej 3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto për të dytin vit radhazi, kanë dalluar analistët.

Teksa kjo do të drejtohej në infrastrukturë dhe strehim përmes qeverive lokale, disa besojnë se Pekini do të investojë më shumë para në prodhimtarinë e avancuar.

Marrë nga “Financial Times”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore