Lajme

Xhamia Al-Aqsa bastiset sërish nga policia, reagon Liga Arabe


Dhjetra kolonë izraelitë hynë në oborret e xhamisë Al-Aqsa nën mbrojtjen e policisë izraelite mëngjesin e së enjtes.

Më herët, policia izraelite ka penguar besimtarët palestinezë të hyjnë në xhami për namazin e sabahut.

Qindra palestinezë kanë falur namazin e sabahut në afërsi të xhamisë Al-Aqsa, raportojnë mediat lokale.

Policia izraelite shtypi protestat në qytetet palestineze Umm Al-Fahm dhe Baqa al-Gharbiyeh në Izrael të mërkurën mbrëma, duke gjuajtur gaz lotsjellës dhe granata trullosëse ndaj protestuesve palestinezë.

Të paktën 397 nga 450 palestinezët e arrestuar nga policia izraelite gjatë bastisjes së të martës mbrëma janë liruar me një ndalim njëjavor për të hyrë në xhaminë Al-Aqsa, tha në një deklaratë Komisioni Palestinez për Çështjet e të Burgosurve.

Dyzet e shtatë të burgosur që i përkisnin Bregut Perëndimor të pushtuar janë transferuar në burgun ushtarak të Oferit, ndërsa ndalimi dhe marrja në pyetje e gjashtë palestinezëve nga Jeruzalemi i pushtuar është zgjatur.

“Kushtet e arrestimit dhe paraburgimit janë poshtëruese dhe çnjerëzore dhe nuk po iu ofrohet kujdes mjekësor të arrestuarve të lënduar”, thuhet në deklaratën e komisionit.

Liga Arabe – një organizatë rajonale me 22 vende anëtare – mbajti gjithashtu një takim urgjent për bastisjet në Xhaminë Al-Aqsa.

Hossam Zaki, ndihmësi i sekretarit të përgjithshëm të ligës, i tha Al Jazeera: “Ne ia hedhim fajin plotësisht dhe tërësisht qeverisë izraelite”.

“Ne do të punojmë, politikisht dhe diplomatikisht, për të ekspozuar atë që Izraeli ka bërë”, vazhdoi ai. “Nuk është se ne kemi nevojë për një justifikim tjetër nga forcat okupuese izraelite për të sulmuar xhaminë Al-Aqsa”.

Zaki shtoi se asnjëherë autoriteteve izraelite “nuk u mbarojnë justifikimet”.

“Ata ju thonë gjithmonë se do të ketë barrikadime të të rinjve, grumbullim armësh e kështu me radhë. E kemi dëgjuar shumë herë. Është pothuajse e parëndësishme në këtë pikë. Kjo është një qeveri që synon të dëmtojë popullsinë palestineze”, shtoi ai.

Tensioni është rritur në Rripin e Gazës pas përdorimit të forcës nga policia izraelite në kompleksin e xhamisë Al-Aqsa për dy netë radhazi.

“Ka një ndjenjë të lartë shqetësimi mes njerëzve këtu pasi ata e lidhin Ramazanin me kujtimet e dhunës”, raportoi Youmna El Sayed i Al Jazeera nga Gaza.

Muaji i Ramazanit në vitet e fundit ka parë që forcat izraelite të sulmojnë besimtarët në vendin e tretë më të shenjtë të Islamit dhe t’i pengojnë ata të kalojnë natën brenda xhamisë për itikaf – një praktikë islame e kalimit të disa ditëve brenda një xhamie gjatë Ramazanit.

“Forcat izraelite sulmojnë xhaminë Al-Aqsa gjatë Ramazanit, gjë që provokon ndjenjat e palestinezëve në veçanti dhe myslimanëve në përgjithësi”, tha Sayed.

Palestinezët e shohin Al-Aksa’n si një nga simbolet e pakta kombëtare mbi të cilat ata mbajnë njëfarë elementi kontrolli.

Megjithatë, ata kanë frikë nga një ndërhyrje e ngadaltë nga grupet hebraike të ngjashme me atë që ka ndodhur në Xhaminë Ibrahimi (Shpella e Patriarkëve) në Hebron, ku gjysma e xhamisë u kthye në një sinagogë pas vitit 1967.

Palestinezët janë gjithashtu të shqetësuar për lëvizjet izraelite të ekstremit të djathtë që duan të shkatërrojnë strukturat islamike në kompleksin e Xhamisë Al-Aqsa dhe të ndërtojnë një tempull hebre në vend të tyre.

Forcat izraelite sulmojnë besimtarët në Xhaminë Al-Aksa

Policia izraelite sulmon besimtarët në xhaminë Al-Aqsa të Jerusalem-it

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore