Përballje

West Ham po jeton ëndrrën, çekanët godasin Liverpool-in


Lojtarët e West Ham duke festuar golin e epërsisë së dytë përballë Liverpool-it

West Ham ka arritur të bëhet skuadra e parë pas 25 takimeve në të gjitha garat që e mposhtë Liverpool-in.

Në një pasdite të çmendur, çekanët e David Moyes e goditën fort skuadrën e Jurgen Klopp.

Dita e mirë shihet në mëngjes, e ndeshja e mirë shihet në fillim.

Vetëm pas katër minutave lojë, West Ham gjeti epërsinë, e ndihmuar pak edhe nga fati.

Portieri i Liverpool-it, Alisson Becker, për një fraksion sekondi e ngatëroi portën, e dërgoi topin në rrjetën e tij, dhe i dhuroi londinezëve epërsinë.

Kur u duk se periudha hapëse po mbyllej me epërsinë e vendasve, në skenë u ngjit Trent Alexander-Arnold.

Njeriu që po kalon formën jetësore, gjeti rrugën e rrjetës me një goditje të bukur nga gjuatja e lirë, për të barazuar shifrat.

Liverpool do shfaqej më mirë në pjesën e dytë, por kundërsulmi i West Ham do ishte fatal.

Një vrapim i bukur i Bowen, e vuri të vetëm Pablo Fornals përballë Alisson, që ashtu sikur ‘Pablo’ Picasso, pikturoi bukur topin në fundin e rrjetës së “London Stadium”.

Çekan mbi Liverpool-in, ishte goditja me kokë e Kurt Zouma që ngriti shifrat në 3-1.

Goli i Origi-t pak para fundit i dha shpresë të kuqve, por zëvendësimet e Moyes në mbrojtje dolën vendimtare që rezultati të mos ndryshojë.

West Ham arrin fitoren e madhe, duke u ngjitur në vendin e tretë, me 23 pikë aq sa City i vendit të dytë, dhe vetëm tre më pak se kryesuesit, rivalët e qytetit, Chelsea.

Liverpool-i mbetet e katërta pas 11 javësh, me 22 pikë.

Me triller pesë golësh, mbyllet perdja e Premier League për dy javë, për t’i lënë hapësirë ndeshjeve me shtete.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore