Lajme

Vullnet shumë, kapacitete fare


Ilustrim

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), kanë kërkuar nga Kosova që të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat amerikane dhe tani, pas ardhjes së talibanëve në pushtet, ndjejnë pasiguri dhe rrezik për jetën.

Nga institucionet e Kosovës, është deklaruar se janë duke u bërë përgatitjet e duhura logjistike e teknike, por edhe të sigurisë dhe sociale për strehimin dhe mbrojtjen e qytetarëve nga Afganistani, por ende asnjë detaje nuk është dhënë.

Përveç që nuk dihet sa do të jetë numri i afganëve që do të qëndrojnë në Kosovë, po ashtu nuk dihet se cilat janë kapacitet e Kosovës për të strehuar refugjatë.

Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, në një prononcim për Albanian Post, kujton se gjatë kohës kur ai ishte në Ministrin e Punëve të Brendshme, kanë qenë duke punuar në adaptimin e disa objekteve për refugjatë.

Ai beson se, “me adaptimin e dy objekteve dhe dy qendrave azilkërkuese, Kosova ka kapacitet për strehim të refugjatëve por deri në 2 mijë ose 3 mijë persona”.

Mirëpo, deklaron se kjo mund të jetë sfiduese për buxhetin e Kosovës.

“Sigurisht që është”, thotë Zeka, “mirëpo që në raste të tilla duhet të ndihmojnë edhe organizata të ndryshme”.

“Në kohën kur unë kam qenë në ministri, ka qenë Organizata e Kombeve të Bashkuara e cila ndihmon në këto raste”.

Përvec buxhetit, i cili edhe mund të mos preket shumë, për shkak të ndihmës që organizatat ndërkombëtare do ia ofronin Kosovës, Zeka beson se është një tjetër shqetësim shumë më i madh se ky.

“Problemi kryesor që duhet të kenë institucionet e Kosovës, është se duhet të shikohet verifikimi i njerëzve që vinë dhe hynë pa detaje”.

Sipas ish-funksionarit, “ardhja jo vetëm e afganëve, por edhe në rastet e tjera të refugjatëve, rreziku më i madh është që mund të futen njerëz të ndryshëm”.

“Nëse shteti nuk i ka informacionet e sakta mund të kemi rrezik për sigurinë kombëtare”.

Edhe juristi Anton Ndrecaj, ka shqetësimin e njëjtë të një rreziku potencial nga ata që vijnë në Kosovë.

Por, duke folur për Albanian Post, Ndrecaj e lëvizë shqetësimin e tij edhe në një tjetër drejtim.

“Ajo çfarë po ndodh në Afganistan mund të konsiderohet edhe si një shqetësim për tërheqje të njohjeve”, pa përjashtuar “sulme potenciale talebane”.

Të rëndësishëm edhe Ndrecaj po e konsideron “verifikimin e atyre personave”.

“Problem është mos-qasja në dokumente dhe jo kapacitetet e Kosovës për një verifikim të tillë”.

Dy qendrat azilkërkuese të Kosovës

Kosova ka dy qendra të azilkërkuesve, një në Magurë të Lipjanit dhe një në fshatin Vranidoll të Komunës së Prishtinës.

Ato kanë kapacitet të vogël dhe në kushte optimale mund të pranojnë jo më shumë se deri në 100 persona.

Nga institucionet është përmendur edhe Parku i Inovacionit dhe i Trajnimeve në Prizren, i cili në të kaluarën kishte shërbyer si kamp ushtarak gjerman.

Ish-kampi ushtarak gjerman thuhet se ka një sipërfaqe prej 40 hektarë dhe me 52 ndërtesa.

Detajet e strehimit të qytetarëve të Afganistanit në Kosovë

Të martën e 17 gushtit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se detajet e strehimit të qytetarëve të Afganistanit në Kosovë janë duke u diskutuar me Shtetet e Bashkuara.

“Çështja e strehimit të refugjatëve nga Afganistani, përveç aspektit të solidaritetit humanist nga ana jonë, e ka gjithashtu dimensionin e aleancës dhe partneriteti me SHBA-në. SHBA-ja na kanë mbështetur dhe përkrahur në vazhdimësi dhe kjo është vetëm një pjesë e vogël e kontributit tonë përkundër ndihmës dhe mbështetjes së madhe për popullin tonë”, tha Kurti, kur u pyet nga gazetarët, derisa kishte një vizitë rutinë në Korporatën Energjetike të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dhënien e mbrojtjes së përkohshme dhe të menjëhershme personave të rrezikuar nga konflikti i brendshëm në Afganistan, të cilët janë në proces të aplikimit për viza migracioni në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

SHBA-të kanë kërkuar nga Kosova dhe Shqipëria që të pranojnë një pjesë të punëtorëve afganë që kanë punuar me forcat e huaja, mirëpo që tash ndihen të pasigurt pasi vendi është marrë nën kontrollin e talibanëve.

Të hënën, presidenti amerikan, Joe Biden tha se operacioni i largimit të personelit amerikan dhe punëtorëve afganë është duke vazhduar dhe se iu kanë dërguar mesazh talibanëve që nëse e pengojnë këtë operacion do të përballen me përgjigje të shpejtë dhe të ashpër.

Ndërkaq, të dielën, më 15 gusht, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte deklaruar se më 16 korrik është kontaktuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, i cili ia ka përcjellë kërkesën e presidentit Joe Biden që Kosova të strehojë përkohësisht civilët afganë, kërkesë të cilën ajo tha se e ka pranuar “pa asnjë hezitim”.

Osmani tha, “Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve”.

Gjithashtu, ajo deklaroi se Qeveria e Kosovës ka formuar një grup punues që do të merret me çështjet organizative, në bashkëpunim me partnerët amerikanë.

Ende nuk dihet se sa do të jetë numri i afganëve që do të qëndrojnë në Kosovë dhe vendi se ku do të qëndrojnë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore