Lajme

Vulin, në mënyrë irracionale, krahason agresionin rus në Ukrainë me ndërhyrjen e NATO-s në Serbi


Aleksandër Vulin

Ministri i Brendshëm, Aleksandër Vulin, kur e tërë bota demokratike dënon agresionin rus në Ukrainë, është përpjekur të bëjë analogji irracionale, duke e krahasuar luftën në Ukrainë me bombardimet e NATO-s në Serbi.

Për zëdhënësin më të zëshëm të Presidentit Vuçiç, të gjithë ata që dënojnë luftimet në Ukrainë duhet të dënojnë edhe siç e quan ai “agresionin e NATO-s” ndaj ish-federatës Jugosllave.

Sipas Vulin, ai që nuk kërkon që NATO të mbajë përgjegjësi për, siç pretendon ai, “krimet e luftës në Serbi”, nuk ka të drejtë të gjykojë askënd në Ukrainë.

Duke komentuar intervistën e ish-komandantit të NATO-s në Evropë, Wesley Clark, në të cilën ai justifikoi agresionin e NATO-s ndaj ish-federatës Jugosllave, dhe theksuar se “nuk ka paralele midis ndërhyrjes së NATO-s në Jugosllavi dhe pushtimit rus të Ukrainës”, Vulin ka potencuar se “ai që përpiqet të krijojë një ‘shtet të rremë të Serbisë’ në territorin e Serbisë, nuk ka të drejtë të flasë për integritetin territorial të asnjë shteti tjetër”.

“Ai që udhëheq histerinë anti-ruse nuk ka të drejtë të përcaktojë se çfarë do të bëjë Serbia dhe si do të mendojë ajo”, ka shtuar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore