Shqipëria

Vulgaritet në emër të lirisë së fjalës


Antropologu francez René Girard mendonte se njerëzit i imitojnë dëshirat e njëri-tjetrit.

Sipas tij, varësisht rrethanave se si kjo ndodh, mund të çojë në konflikte e rivalitete, nëse njerëzit përfundojnë duke i imituar dëshirat e njëri-tjetrit.

Me patjetër, kur dy njerëz e duan të njëjtën gjë prodhohet rivaliteti që e përfshin dëshirën për superioritet dhe triumfim.

Girard në retorikën e tij filozofike këtë e quante memesis.

Iris dhe Lea ishin dy shoqe të ngushta që vendosën të bëheshin pjesë e emisionit Për’puthen në Top Channel.

U betuan se asgjë brenda emisionit ku djem e vajza luftojnë për pëlqimin e njëri tjetrit s’do t’i përçante.

Por vajzat s’e kishin llogaritur prezencën e Petros. Ai u bë dëshira e të dyjave. Petro i rivalizoi vajzat dhe shpejt për njëra-tjetrën ato u bënë “plehra”.

Në njërën nga studiot e Top Channel madje u shpërndanë flakaresha.

Lea e goditi me shuplakë Irisin e cila në konflikt verbal e sipër e quajti “plehrë”.

Teoria Mimetike e Girard-it e sheh dëshirën njerëzore jo si individuale por kolektive.

Kjo gjë, mendon antropologu, ka pasuar në konflikt e dhunë përgjatë tërë historisë njerëzore.

Evolution of Desire' Review: Who Was René Girard? - WSJ
René Girard

Dhe të dyja vajzat u udhëhoqën nga dëshirat në këtë rast të njëjta dhe pashmangshmërisht u bënë pjesë e rrjedhës së historisë së sjelljeve njerëzore.

Gjithmonë kam menduar se dhuna është instinkt bazik. Kështu mendonin edhe Girard e Freud.

Instinkt bazik njerëzor tha ta kishte pasur edhe Lea që e goditi miken.

Tha se e bëri me nerva. Iris doli nga emisioni, ndërsa Lea me gjakftohtësi e arsyetonte veprimin e saj në emër të një instinkti njerëzor!

Kuptimi anti-vleror

Dack/ë,-a emër i gjinisë femërore jo domosdo si armë në posedimin e saj (goditje me pëllëmbë në fytyrë, ose shuplakë).

Në kuptimin e figurshëm reflektohet si goditje e rëndë, poshtëruese për dikë.

Përdorimi në fjali: Një televizion kombëtar së bashku me AMA-n (Autoritetin e Mediave Audiovizive) hëngrën një dackë të mirë të mërkurën e 14 dhjetorit.

Termi “dhunë televizive” u krijua në vitin 1963 pasi kritikët akuzuan programet për promovimin e sjelljeve të dhunshme dhe agresive antisociale.

Research paper: The Influence of Media Violence on Youth | by Ivan Nedeljkovic | Medium

Por, një televizion kombëtar në Shqipëri e regjistroi në vitin 2022 dhe e transmetoi “dackën” pa e ndërprerë në asnjë moment zinxhirin e përdorimit dhe riprodhimit të dhunës përtej ankesave të shikuesve.

“Unë si feministe mendoj që ky është një zhvleftësim total i vlerave të vajzave, të cilat kanë gjëra të tjera shumë të rëndësishme dhe duket sikur janë para një haremi që zgjedhin personin që duan përtej asnjë vlere tjetër që ato kanë. Vajza të veshura keq, flasin keq, mendojnë keq, reagojnë keq, janë intolerante harrojnë përse janë aty dhe përpara kujt janë aty”, deklaron fillimisht për Albanian Post, aktivistja për të drejtat e grave dhe presidentja e “Useful to Albanian Women”, Sevim Arbana.

Sevim Arbana

Emisioni “Për’puthen”, i cili mbart gjithmonë një faktor episodik në dokumentimin e katër sezoneve të tij, së fundi nuk bën bashkë më aspirantët për t’u dashuruar por dhunuesit verbalë me ata fizikë brenda gjinisë, dikush një shkallë më lartë, tjetërkush një ulëse më poshtë.

Më shumë se 600 mijë klikime brenda 48 orësh.

“Paradoksalisht në të shumtën e rasteve promovohet një lloj realiteti televiziv që nuk duket me karakter të pastër moral, por duket se në formën e vet tërheq audiencë shumë besnike. Kjo është kryesore sot: sa ndiqet dhe sa klikohet një program apo artikull në internet”, shprehet për Albanian Post gazetari Ben Andoni.

Sipas tij, paradoksi mbetet se publiku e adhuron në masë këtë gjendje.

Post-dackë

Autoriteti i Mediave Audiovizive i thirrur në apel sërish, iu përgjigj kërkesës për koment nga Albanian Post duke theksuar se “ka identifikuar shkelje të rënda etike gjatë diskutimit midis pjesëmarrësve, i cili pasi lejohet të jetë agresiv, përshkallëzohet në dhunë verbale dhe degjeneron deri në ushtrim të dhunës fizike”.

“Sjelljet e sipërpërmendura përbëjnë shkelje dhe janë të pajustifikueshme për fashën orare dhe rrezikun, që paraqesin për edukimin e fëmijëve”, thekson AMA për Albanian Post.

Autoriteti i Mediave Audiovizive

Për gazetarin Ben Andoni, për sa kohë që “AMA është apatike dhe nuk e ngre zërin dhe të ketë mekanizma penalizues që t’i ushtrojë ose të ketë vullnet ta bëjë atëherë mos prisni reagim”.

“AMA duhet të japë një përgjigje për mungesën e apatisë, por është e pafuqishme, përderisa media nuk ka vetë instrumente rregulluese brenda saj”, shton ai.

Një zyrtar i AMA-s nënvizoi për AP-në në kushte anonimiteti, se agjencia (përmes Këshillit të Ankesave) nuk ndërhyn në linjën editoriale apo në programacionin e asnjë operatori, por ruan nëse shkelet ligji dhe kodi i transmetimit.

“Papërgjegjshmëria e AMA-s është tejet e dukshme sepse në fund të fundit çdo emision televiziv qoftë show, qoftë politik, qoftë për fëmijë duhet të ketë në thelb diçka që u transmeton njerëzve, në këtë rast të rinjve”, mendon aktivistja Arbana.

AMA në përgjigjen e saj institucionale shteron se ka nisur procedimin administrativ sipas parashikimeve të kuadrit legjislativ dhe i kërkoi “Top Channel” heqjen urgjente të përmbajtjes audiovizive përkatëse nga (ri)transmetimi dhe kanali zyrtar në Youtube.

Por asnjëra prej këtyre nuk ka ndodhur, përveç faktit që fati i protagonistëve po vendoset nga publiku (dëshmuesi dhe përftuesi kryesor i dhunës).

Dackë pa gjurmë

“Programet afër formateve të ‘reality show’ me përfshirjen e publikut, njerëzve të thjeshtë, duket se krijojnë një lloj të ri kënaqësie televizive: atë të përcaktuar nga histori të thjeshta jetësore, të thjeshtët që mund të bëjnë diçka më mirë në jetën e tyre pasi të shfaqen në TV. Dhe kjo krijon varësi, pasi krijon një stil të dëshirës ‘të dukesh shkëlqyeshëm në TV'”, vijon Andoni në reflektimin e tij.

Sipas gazetarit, automatikisht ka rënë roli edukues dhe informues i televizionit si institucion.

Ben Andoni

Kjo, sepse njerëzit i kushtojnë fare pak kujdes formimit, peshën kryesore e ka dukja dhe fitorja e lehtë e gjithçkaje, duke qenë pjesë e ‘reality show-t’.

Para disa vitesh, Televizioni Suedez, i cili është kompania televizive publike suedeze, ftoi njerëzit dhe organizatat të kontribuonin me ide, pikëpamje, perspektiva dhe njohuri në një dialog që ata e quajtën “kafe me ne” (“fika med oss” në suedisht).

Ishte një përpjekje e Televizionit Suedez për të dëgjuar njerëzit në mënyrë që ata të përmirësohen si një televizion publik.

Në të kundërt, televizionet shqiptare ende jetojnë në frymën e “mbeturinave televizive”, pra konsumojnë atë çfarë përtypën të tjerët para nesh, afër dhe larg nesh.

“Sa i takon emisionit ‘Përputhen’, dhe disa emisioneve të tjerë ‘simotra’ të këtij formati jam gjithmonë e çuditur por nga ana tjetër e di realisht të gjithë skenarin pse bëhen këto emisione. Krijueses së këtij emisioni dhe televizionit që e jep këtë emision mendoj që i interesojnë vetëm klikimet”, thotë Arbana.

As Reality TV Dies Off, Execs Look Towards the Future | The Takeaway | WNYC Studios

Ndërsa “reality show-t” kanë tejmbushur hapësirën kulturore që nga fillimi i mijëvjeçarit, ato u shfaqën për herë të parë si një zhanër i veçantë në fillim të viteve ’90.

Reality show si “Big Brother” projektoi një ndryshim kyç në kulturën e të famshmëve, i cili hapi rrugën për epokën e ndikuesve të sotëm.

Një “talent” tradicional – si kënga apo aktrimi – nuk ishte më një parakusht për qendër të vëmendjes.

“Një shfaqje televizive e promovuar intensivisht që ka një përfitim të madh imazhi brenda hapësirës publike do të marrë gjithmonë një pjesë të madhe të audiencës. Dhe ky sot është edhe rasti i Shqipërisë. Ky konsiderohet si modernitet dhe bashkëkohësi”, tregon Andoni.

Pandemia COVID-19 dhe lufta në Ukrainë ishin dy situatat ku televizioni ishte e vetmja rrugëdalje edukuese në rastin e të parës dhe informuese sa i përket të dytës.

E ndërsa varësia digjitale shtegton informacionin më shpejt si dezinformim dhe çedukim, televizioni ka zbehur rolin e tij kryesor ndaj popullatës.

Ta ngulitësh spektatorin me kërshëri pas një dacke është më tërheqëse sesa ta parandalosh atë.

Po i njëjti klikim që fik televizorin, është po i njëjti spektator që do dëgjojë gjetkë shamatën e zhurmës mediatike që prodhoi televizori i fikur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore