Lajme

Vuçiç: Serbët në Veri janë afër të marrin vendimin që të mos e lënë askënd në atë pjesë – nuk tolerojmë më


Aleksandër Vuçiç

“Serbët në veri të Ibrit janë afër vendosjes që të mos lejojnë askënd të hyjë më në Veri. Duhet të kuptoni se gjithçka vlon”.

Kështu deklaroi Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas takimit me Komisionerin e Bashkimit Evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varheliy.

“Duke qenë se kam raporte nga të gjitha shërbimet e ndryshme të mundshme dhe flas me njerëzit tanë, e di që njerëzit po vlojnë”.

Ai paralajmëroi se nuk do të distancohet nga gjuha e përdorur ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe se populli serb nuk do ta “duroj më terrorin e tij”.

Pas vendimit për ta ngarkuar politikanin serb, Nenad Rashiç, me detyrën e ministrit për Komunitete dhe Kthim, Vuçiç e quajti atë dhe këshilltaren e tij Rada Trajkoviç, si “llumi i shoqërisë serbe” dhe Kurtin që i emëroi si “llum terrorist”.

“Nuk u pendova për asnjë fjalë, gjithçka që i thashë Kurtit, Trajkoviç’it dhe Rashiç’it, do të thotë, gjithçka që thashë dje, ma atribuoni edhe sot”.

“Më lejoni t’u them të gjithëve që nuk jam as i çmendur, as i dehur, as budalla, sepse pi vetëm çaj kamomili dhe kola zero. Po shemben të gjitha llojet e mundësive për një bisedë normale me Prishtinën”, shtoi ai.

Gjithashtu, ai ka kujtuar se serbët nuk janë lejuar të votojnë në territorin e Kosovës për zgjedhjet serbe, ndonëse siç pretendon ai, nga QUINT’i i kanë premtuar se do t’i bëjnë presion Kurtit.

“Ajo e drejtë asnjëherë më parë nuk iu është mohuar qytetarëve që e shohin veten si qytetarë të Serbisë, me përjashtim të Rashiç’it, Trajkoviç’it dhe Kurtit”.

Ndërkaq, arsyeja e shqetësimit të zyrtarëve serbë, sipas ministrit të sapoemëruar, Nenad Rashiç, ka të bëjë me faktin që ai është “serb autentik i Kosovës” dhe nuk kontrollohet nga Beogradi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore