Lajme

Vuçiç rrugës për Rashkë: Serbët nuk kënaqen deri në çlirimin përfundimtar


Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përmes një postimit në rrjetin social Instagram, përveç njoftimit se është nisur drejt Rashkës për t’u takuar me serbët e Kosovës, tha se “ata deri në çlirimin përfundimtar nuk do të kënaqen me asnjë vendim”.

Ai deklaroi se do ta respektojë vendimin e serbëve, cilido qoftë ai, dhe është i bindur se “sot është një ditë e mirë për Serbinë”, sepse siç tha ai “ruajtëm paqen dhe morëm garanci për sigurinë dhe mbijetesën e serbëve”.

Ndryshe, presidenti serb rreth orës 20:00 pritet t’iu drejtohet serbëve të Kosovës nga kazerma ushtarake në Rashkë, qyteza më e afërt serbe me kufirin e Kosovës në Jarinjë.

Bashkë me Vuçiç-in, siç raportojnë mediat serbe, përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës do të shpallin vendimin për heqjen ose jo të barrikadave, 16 sosh të vendosura pas arrestimit të Dejan Pantiç, i cili në Kosovë akuzohet për terrorizëm.

Vuçiç, raportohet, do të dëgjojë brengat e serbëve në Kosovë dhe po ashtu “do t’u përgjigjet pyetjeve të tyre”.

Pas përgjigjeve që ka për ta, do të mbajë edhe një falim për gjithë situatën e fundit.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Kosovë ka vendosur t’ia zbusë masën Pantiç-it duke e liruar dhe vendosur në arrest shtëpiak.

Avokatët në Kosovë kanë sqaruar për Albanian Post se ky është një vendim pothuajse i padëgjuar kur një të arrestuari për terrorizëm i mundësohet mbrojtja në liri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore