Lajme

Vuçiç reagon pas deklaratave të Albin Kurtit për vendosje të reciprocitetit me Serbinë


Aleksandar Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandat Vuçiç, i pyetur se si e komenton deklaratën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për rivënie të masës së reciprocitetit, ka thënë se për të është e rëndësishme siguria e serbëve në Kosovë.

Në deklaratën e tij, Vuçiç, ka shtuar se rëndësi kyçe për Serbinë, ka edhe aktgjykimi i shkallës së tretë kundër Ivan Todosijeviçit.

“Është e rëndësishme për ne që të ruajmë sa më shumë sigurinë e njerëzve tanë në Kosovë”.

“Kjo është arsyeja se pse ne do të shohim se cili do të jetë reagimi ndaj vendimit të shkallës së tretë kundër Ivan Todosijeviqit. Kjo është e një rëndësie kyçe për ne“, ka thënë Vuçiq, shkruan “B92”.

Mes tjerash, Vuçiç, tha se duhet të shohin se çfarë gjërash të tjera kanë të bëjnë me respektimin e marrëveshjes së Brukselit, ndërsa shtoi se ndikimi i tyre është i pamundur kur bëhet fjalë për lëvizjet joracionale.

“Absolutisht është e pamundur të ndikosh në lëvizjet joracionale. Ju nuk mund të ndryshoni asgjë”, tha Vuçiq.

Këto reagime kanë ardhur pasi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës në Tiranë, ka thënë se masa e reciprocitetit ndaj Serbisë do të vendoset për shkak se nuk ka opsion tjetër.

Ai ka thënë se po bëhen përgatitjet.

“I kam shkruar letër të gjitha qeverive të BE-së dhe jo vetëm, ku kam renditur shkeljet që po i bën Serbia. Po pres përgjigjet e tyre dhe reciprociteti do të vendoset pasi nuk ka ndryshe. Mirëpo, me ministren Rozeta Hajdari dhe me doganat tona po përgatitemi që ta zbatojmë atë, sepse asnjë qeveri nuk ka zbatuar reciprocitetin. Ne kur ta zbatojmë reciprocitetin nuk guxojmë të dështojmë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se problemi “është Serbia, e jo shqiptarët apo Kosova”.

Ndërsa, në anën tjetër, Ivan Todosijeviç, më pesë dhjetor të vitit 2019 ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më dy vite burgim efektiv, i cili dënim është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit. Me vendimin e shkallës së dytë, dënimi me burgim tashmë është bërë i formës së prerë.

Në nenin 70 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (paragrafi 3.6) përcaktohet që mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm nëse deputeti dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.

Në këtë mënyrë, dënimi i formës së prerë prej dy vitesh do të ndikojë që Todosoijeviç me automatizëm ta humbet mandatin e tij aktual si deputet.

Në anën tjetër, ulësen e tij pritet ta zë deputetja e Listës Serbe Dragana Antoniejeviç. Kjo pasi që, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të mbajtura më 14 shkurt të këtij viti, Antoniejeviç është deputetja me më së shumti vota. Pavarësisht se ajo kishte siguruar 6,919 vota, nuk kishte arritur të siguroi ulësen e deputetes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore