Lajme

Vuçiç për Milosheviçin: Ai s’është fajtor, por bëri një seri të gabimeve


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke folur për të kaluarën, ka thënë se Sllobodan Millosheviçi, i njohur si “Kasapi i Ballkanit”, nuk e kishte të lehtë, duke shtuar se “ai bëri një seri të gabimeve, por nuk është fajtor për vrasjen e vendit, janë ata që e bënë këtë”.

Sipas Vuçiç-it, “Milosheviçi është fajtor se nuk ishte në gjendje të llogariste dhe ne po e paguajmë çmimin”.

“Pastaj erdhi një grup njerëzit pas tij që vetëm po shikonin ta grabisnin Serbinë, ata nuk u interesuan fare për Kosovën. Madje e ndihmuan atë. Në çfarë situate ishim, nuk është aq keq. Shqiptarët na ndihmuan me gabimet e tyre dhe dëshirën e tyre të tepruar. Ne jemi në një pozitë të vështirë, por për atë pak që na ka mbetur do të luftojmë”, ka potencuar Vuçiç në një intervistë për “TV Pink”.

Vuçiç shtoi se në vitin 1961 ishin 20 për qind serbë në Kosovë dhe se në vitin 1991 kjo shifër ra në 11 për qind.

Ndërkaq kur ka folur për marrëveshjen Brukselit me Kosovën për targat, ai e ka theksuar se “ne nuk humbëm dhe luajtëm më mire”.

“Nuk ishte loja jonë, na u imponua. Ata donin të prezantonin heqjen e targave serbe dhe të na poshtëronin. Donin të na jepnin targa të Kosovës dhe donin që ROSU të kontrollonte atë proces”, ka shtuar Vuçiç,

Ndryshe të shtunën e dy tetorit, pas 13 ditësh, Njësitë Speciale të Kosovës janë larguar nga pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak, për t’u lënë vend forcave të KFOR-it që do të qëndrojnë për 12 ditët e ardhshme.

Kështu është vendosur me marrëveshjen e arritur në Bruksel mes Kosovës e Serbisë, pas ngritjes së tensioneve kur Qeveria e Kosovës vendosi të aplikojë reciprocitet për targat me shtetin serb.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore