Kosova

“Vuçiç, në fakt, e ka njohur Kosovën”


Kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, Zoran Lutovac

Kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, Zoran Lutovac, ka deklaruar se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, mori mbështetjen e votuesve në platformën “nuk do ta japim Kosovën”, dhe më pas mbështeti platformën e Perëndimit “do ta njohim Kosovën e pavarur”.

Kështu, “ai në fakt e njohu Kosovën, por nuk do ta bëjë këtë zyrtarisht dhe nuk do t’ua pranojë qytetarëve të Serbisë që e ka njohur”.

Ai, duke folur, në seancën e Bordit Kryesor të Partisë Demokratike në Beograd, deklaroi se presidenti serb ka vendosur për 10 vjet duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet dhe duke mbytur lirinë e fjalës dhe veprimin politik të opozitës, “dhe më pas ai kërkon mbështetjen e të gjithëve për një zgjidhje kompromisi për Kosovën”.

Aleksander Vuçiç

Në të njëjtën kohë, theksoi Lutovac, vetë Vuçiç pranoi se nuk e dinte se çfarë ishte zgjidhja kompromisi.

Ai vlerësoi se konferenca për shtyp e Vuçiç-it më 27 gusht ishte shembull i “shkeljes multidisiplinare të Kushtetutës”.

Lutovac përkujtoi se Vuçiç i dha Anna Brnabiç-it mandatin për të formuar qeverinë e re dhe në të njëjtën kohë e kufizoi atë në dy vjet, gjë që shkeli parimin e ndarjes së pushteteve dhe më pas i pranoi dokumentet e Kosovës si të vlefshme në territorin e Serbisë.

Siç dihet, nga 1 shtatori, Serbia është pajtuar që të mos vazhdojë më të lëshojë letrat e bardha për hyrje dalje për shtetasit e Kosovës, si dokument shtesë për t’u futur në Serbi.

Njëjtë, letrën nuk do ta lëshojë as Kosova. Kjo ishte një zgjidhje kompromisi e mundësuar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, pas tensioneve të ngritura muajin e fundit, kur Kosova vendosi të aplikojë reciprocitet me Serbinë sa u përket letër njoftimeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore