Lajme

Vuçiç komenton deklaratën e Vulinit për “krijimin e botës serbe”


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, pas takimit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi që është zhvilluar të hënën e 19 korrikut, është përgjigjur edhe për deklaratat e ministrit të Punëve të Brendshme, Aleksandër Vulin.

Ky i fundit ka thirrur për krijimin dhe unifikimin e “botës serbe”, gjë që ka ngritur reagime dhe shqetësime në rajon, duke u cilësuar si deklaratë fashiste.

Pas kërkesës së ministres së Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviç, që Vuçiç të distancohet nga këto deklarata, ai ka thënë se “politika zyrtare shtetërore serbe është ajo që thotë se kufijtë e Serbisë janë të pacenueshme dhe se Beogradi nuk merret me kufijtë e njerëzve të tjerë”.

Vuçiç ka thënë se këto kritika, që bëhen nga vende të rajonit, nuk janë mbi ministrin e Brendshëm, por mbi Serbinë.

“Këta njerëz thonë është Vuçiçi, është Serbia, sepse ata duan të gjejnë fajtorë për gjithçka. E rëndësishme për njerëzit tanë është të dinë se politika zyrtare e jona për kufijtë është e pacenueshme, dhe s’jemi të interesuar në kufijtë e të tjerëve”, tha Vuçiç për TV Pink në Bruksel.

I pyetur për vlerësimet që deklaratat e Vulinit mbajnë mesazhe fashiste, Vuçiç sqaroi se është interesante se si ata që bëjnë vlerësime të tilla “lehtësisht i quajnë serbët dhe miqtë e tyre fashistë”.

Deklaratat për krijimin dhe bashkimin e “botës serbe” nga Aleksandër Vulin

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandër Vulin, në 13-vjetorin e themelimit të Lëvizjes Socialiste serbe, ka vazhduar retorikën e kamotshme nacionaliste serbe, duke u fryrë emocioneve të së kaluarës.

“Detyrë e gjeneratës sonë është krijimi i botës serbe, bashkimi i serbëve kudo që janë”.

Ai ka thënë se, në mënyrë që kjo të jetë e mundur, duhet vetëm “ta ruajmë” dhe “ta vazhdojmë politikën e presidentit Vuçiç”.

Ndër të tjera, ai shtoi se populli serb nuk ka të drejtë të tërhiqet nga ideja e unifikimit dhe “nuk kanë të drejtë të heqin dorë nga bota serbe”.

“Dhe në mënyrë që bota serbe të ngrihet, Serbia duhet të jetë e fortë ekonomikisht, e mirëqeverisur, dhe të ketë ushtri të aftë për ta ruajtur edhe Serbinë, edhe serbët kudo që janë. Që kjo Serbi të jetë, ne duhet me çdo kusht të vazhdojmë politikën e Vuçiç-it”.

Në këtë fjalim, ministri serb i Brendshëm i ka bërë edhe fushatë Vuçiç-it, duke deklaruar atë të pazëvendësueshëm për shtetin serb.

“Askush tjetër s’duhet të jetë president i Serbisë e të gjithë serbëve, përveç Vuçiç-it”, ka thënë Vulin para audiencës serbe.

Edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, i cili ishte i pranishëm në këtë ceremoni, i pranoi lavdet e thurura nga partneri i koalicionit të tij, Vulin, dhe u shpreh se ai për të “është shumë më shumë se një partner në qeverisje”.

“Vulin-i do ta mbrojë Serbinë, do ta mbrojë popullin dhe qeverinë e saj, atij s’kam çfarë t’i them. Ai mbron interesin e Serbisë”, ka deklaruar presidenti serb Vuçiç.

Mediumi serb “klix” reagoi ndaj kësaj ngjarje si synim për t’i ringjallur ndjenjat e së kaluarës.

“Kohë pas kohe, mesatarisht çdo gjashtë muaj, dikush në rajon ‘godet’ me mesazhe që trazojnë shpirtrat e së kaluarës. Zakonisht vjen nga Serbia, nëse Milorad Dodik nuk e ka filluar tashmë atë. Tani është radha e ministrit të diskutueshëm të Policisë, Aleksandar Vulin”.

Reagimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës

Ministrja e Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Bisera Turkoviç, po ashtu ka reaguar ndaj deklarimeve nacionaliste të Aleskandër Vulin, dhe i ka bërë thirrje Vuçiçit që të distancohet nga këto qëndrime.

“Pres që presidenti Vuçiç menjëherë të distancohet nga deklaratat e ministrit të Punëve të Brendshme, Aleskandër Vulin, për unifikimin e Serbisë. Nëse nuk distancohet kjo, i bie që politika zyrtare serbe është që të përmbysë Marrëveshjen e Dejtonit”.

Ajo ka thënë se në mënyrë vendimtare deklaratat e Vulinit janë shkelje flagrante e Marrëveshjes së Dejtonit, destabilizuese për tërë Ballkanin, dhe një kërcënim i hapur për qytetarët në Bosnje dhe Hercegovinë, të cilët e kanë mbrojtur veten kundër gjenocidit para 26 vjetëve.

“Një retorikë e tillë i bën të pakuptimta deklaratat dhe politikat e presidentit serb, në të cilat ai pretendon se Serbia dëshiron paqe dhe marrëdhënie të mira fqinjësore me BH-në. Përkundrazi, deklaratat e Vulin janë një tregues i qartë se nga vjen destabilizimi i rajonit dhe bllokimi dhe pengimi i rrugës evropiane të BH dhe rajonit”.

Ajo ka thënë se shteti i saj do të njoftojë të gjitha shtetet e tjera që kanë qenë garantuese të Marrëveshjes së Dejtonit.

Reagimi i Aleksandër Vulinit ndaj ministres së Jashtme boshnjake

Menjëherë pas këtyre reagimeve të Turkoviç, ka pasuar edhe reagimi i ministrit serb, Vulin.

“Idetë dhe deklaratat e mia janë të miat. Unë dhe Vuçiçi s’jemi të të njëjtit mendim mbi çdo çështje. Nëse keni pyetje për mendimet e mia, atëherë m’i dërgoni mua dhe do të ta them me një zë të madh që ta dëgjosh”.

Tutje ai ka thënë se “Fillimisht ju duhet të përgjigjeni se kush donte ta vriste Vuçiçin në Srebrenicë dhe pse nuk i dimë emrat e tyre”.

Ai i është drejtuar personalisht asaj duke i thënë se “ju Zonja Turkovic, harruat se unë thash që serbët të bashkohen paqësisht, pa u shkrepur asnjë plumb nëse plotësohen kushtet. Nëse gjermanët mundën, pse s’munden serbët? Ose a jeni ju edhe kundër Gjermanisë së bashkuar?”.

Më pas ai i ka reguar edhe për thirrjen e saj që presidenti Vuçiç të distancohet nga deklaratat e tij, duke i i thënë se “pse ju s’distancohemi nga deklaratat e Sefik Dzaferovic që Kosova është e pavarur, dhe se do ta njihni Kosovn? Pra po konsideroj që ju doni shpërbëjen e shtetit tonë, dhe shkëputjen e një pjese të saj?:

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore