Lajme

Vuçiç-i takon Peach-in, diskutojnë për situatën në Kosovë


Stuart Peach dhe Aleksandër Vuçiç

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, këtë të mërkurë ka takuar të deleguarin e Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social në Instagram, Vuçiç, ka bërë të ditur se me diplomatin britanik ka zhvilluar, siç e ka quajtur ai, një bisedë serioze dhe kuptimplotë për situatën e krijuar muajve të fundit në Veri të Kosovës.

“Ramë dakord gjithashtu se është e nevojshme që Serbia dhe Britania e Madhe të bëjnë më shumë përpjekje në zhvillimin e ekonomisë sonë dhe marrëdhëniet të përgjithshme politike”, ka shkruar Vuçiç në Instagram.

Peach, gjatë ditës, ka takuar edhe kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiç.

Takimin në fjalë e ka njoftuar Qeveria e Serbisë përmes një komunikate për media.

Bërnabiç, siç njofton komunikata për media, ka shprehur vendosmërinë e Serbisë për të vazhduar forcimin e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar duke theksuar posaçërisht rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik.

Në takim në mes të Peach dhe Bërnabiç, gjithashtu është diskutuar për situatën në Kosovë, ku ndër të tjera Bërnabiç ka theksuar se kusht për vazhdimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është përmbushja e obligimeve të dakorduara më parë dhe se kjo është e vetmja mënyrë për të tejkaluar çështjet e hapura.

Peach në anën tjetër në takim me Bërnabiç ka shprehur vendosmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të ruajtur paqen dhe përparimin në rajon si dhe Londra mbështet Procesin e Berlinit dhe të gjitha nismat e tjera që kontribuojnë në përmirësimin e bashkëpunimit konkret në rajon.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore