Lajme

Vuçiç “i gatshëm për kompromis”


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ekziston gjithmonë një gatishmëri për të gjetur një zgjidhje kompromisi për çështjen e Kosovës, duke shtuar se ai do t’i përgjigjet ftesës nga Brukseli, por se nevojitet shumë forcë dhe energji për të ruajtur interesat shtetërore dhe kombëtare të vendit të tij Serbisë.

Këto komente Vuçiç i bëri para Ambasadorit të Francës në Serbi, Jean-Louis Falconi, ku ndër të tjerash theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me Francën për Serbinë, si në nivelin politik ashtu edhe ekonomik, duke shtuar se ai është i kënaqur me vëmendjen që Presidenti, Emanuel Macron, i kushton marrëdhënieve midis dy vendeve, thuhet në njoftimin e zyrës të Presidentit Serb.

Në një ‘non-paper’ që kishte siguruar Albanian Post javën e kaluar, një nga pikat kryesore parasheh krijimin e një Autonomie me vetëqeverisje të zgjeruar dhe me institucione të vetat.

“Të dyja palët pajtohen për themelimin e Distriktit Autonom të Kosovës Veriore si një njësi e veçantë administrative e vetëqeverisjes rajonale në Kosovë që e ka të drejtën të miratojë legjislacion në ekonominë rajonale, financa, prona, infrastrukturë, kulturë, edukim, shëndetësi, mirëqenie sociale, drejtësi, shërbime, banim, zhvillim urban dhe bashkëpunim evropian në linjë me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin e qeverisjes lokale”, thuhet në atë pikë të dokumentit që e ka siguruar AP.

Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, para takimit të parë me Presidentin Serb që do të mbahet muajin e ardhshëm (qershor), kishte thënë se do “dialog të përgatitur mirë, parimor, si palë të barabarta, në të cilën, natyrisht, thelbi është ai që tashmë e ka thënë edhe presidenti i ri amerikan, Joe Biden, por edhe shumë liderë të tjerë botërorë se zgjidhja e ka emrin në formën e togfjalëshit “njohja reciproke”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore