Lajme

Vritet një grua në Pejë, arrestohet bashkëshorti i saj


Ilustrim.

Një grua është vrarë të martën në Pejë, ku dyshohet se dorasi është bashkëshorti i saj.

Lajmin e ka konfirmuar për Albanian Post zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

“Në Pejë ka ndodhur një rast i vrasjes, ku dyshohet se në një banesë në qendër të Pejës bashkëshorti ka privuar nga jeta gruan e tij. Aktualisht në vendin e ngjarjes është kryeprokurori, prokurori, krimet e rënda dhe të gjitha ekipet relevante”.

Nikçi, ka thënë se i dyshuari është arrestuar.

“Jemi në pritje të Mjekësisë Ligjore për të marrë trupin e pajetë”.

Edhe më 12 prill, një grua është vrarë në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj.

Po ashtu, edhe për këtë rast është arrestuar ish-bashkëshorti i saj.

Brenda afatit ligjor, ndaj të njëjtit, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, është paralajmëruar se do të parashtrohet kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për veprën penale “Vrasja” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Më 29 nëntor kishte ndodhur edhe vrasje e një gruaje në Prishtinë – Liridona Ademaj, për të cilën i dyshuari kryesor për planifikimin e vrasjes së saj ishte bashkëshorti i saj Naim Murseli dhe dorasi Granit Plava.

Më pas u arrestua edhe Kushtrim Kokalla si pjesëmarrës në krim.

Në dosjen e prokurorisë theksohet se ka pasur një “marrëveshje për një aksident të inskenuar”, ku i pandehuri, në këtë rast Naim Murseli, me dashje ka dashur të privojë nga jeta bashkëshorten e tij, duke bërë një marrëveshje paraprake me dorasin Granit Plavën.

Sipas Prokurorisë, Murseli, paraprakisht e ka pajisur me armë dorasin Plava duke inskenuar veprën e “Grabitjes”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore