Lajme

Plagosja në Gjakovë, arrestohet një i dyshuar


Ilustrim.

Një person është arrestuar lidhur me rastin e plagosjes që ka ndodhur të enjten e 25 majit në Gjakovë.

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se është konfiskuar një armë, e cila dyshohet të jetë përdorur në rastin në fjalë si dhe dy fishekë.

“Sot rreth orës 12:21 është pranuar informatë së në rrugën ‘Bardhyl Qaush’ në Gjakovë, një person ishte qëlluar me armë zjarri. Njësitet e nevojshme policore menjëherë ju kanë përgjigjur rastit ku në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja si dhe është kuptuar se viktima mashkull i moshës madhore ishte qëlluar me armë zjarri”.

Nga policia është sqaruar se gjendja e viktimës aktualisht është stabile.

“Viktima është dërguar në Spitalin Rajonal në Gjakovë dhe nga personeli mjekësore jemi njoftuar se gjendja e tij shëndetësore për momentin është stabile”.

Teksa, për të dyshuarin që ka kryer veprën nga policia është thënë se është arrestuar.

“Sektori Rajonal i Hetimeve, të mbështetur edhe nga njësitet tjera në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, pas një angazhimi operativ dhe hetimor rreth orës 14:00 kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë një të dyshuar lidhur me rastin në fjalë: A. N., mashkull i lindur në vitin 2001, shtetas i Republikës së Kosovës”.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit me vendimin e të cilit, i dyshuari u ndalua në mbajtje për 48 orë si dhe rasti u iniciua si “Vrasje në tentativë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore