Shqipëria

Vrasja e Rashës, kalon për gjykim çështja e ish-efektivitit të policisë


Gjykata e Tiranës ka kaluar për gjykim, të premten, më 26 mars, çështjen ndaj ish-efektivit të forcave “Shqiponja”, Nevaldo Hajdaraj, i akuzuar për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha.

Avokati i të pandehurit Hajdaraj, ka kërkuar nga gjykata ndryshimin e akuzës nga “vrasje me dashje” në “vrasje në kapërcim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme”.

Kjo kërkesë është hedhur poshtë nga gjykata.

Po ashtu ai ka kërkuar gjykim të shkurtuar në gjendjen që janë aktet.

Vrasja e Klodian Rashës

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur më 8 dhjetor në Tiranë, ku një 25-vjeçar kishte thyer orën policore dhe u qëllua për vdekje nga policia.

Sipas të dhënave, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Dritan Hoxha” pak metra larg shtëpisë së viktimës. I riu nuk iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar, por u largua më vrap duke i drejtuar punonjësit të policisë një send të fortë, në dukje armë zjarri. Ky i fundit ka qëlluar me armën e shërbimit, ku mbeti i vdekur 25-vjeçari.

Pas ngjarjes Shërbimi i çështjeve të Brendshme dhe Ankesave njoftoi arrestimin e efektivit të Policisë së Shtetit, i cili qëlloi me armë për vdekje të riun, Klodian Rasha.

Prokuroria ka vëzhguar kamerat pranë rrugës ku u vra Rasha.

Pamjet filmike kanë treguar se mes Rashës dhe policit, Nevaldo Hajdarajt, ka pasur një përplasje fizike.

Pas kësaj polici ka qëlluar drejt 25-vjeçarit me armë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Hajdaraj e ka parë se Rasha nuk ka pasur armë me vete, megjithatë ai ka nxjerrë pistoletën e shërbimit duke qëlluar ndaj tij.

Fakti i sipërpërmendur si edhe gjetja e një tjetër pistolete 200 metra larg vendit të krimit, e ka çuar Prokurorinë në konkluzionin se Klodian Rasha u vra me dashje nga polici, Nevaldo Hajdaraj.

Sipas familjarëve, Rasha doli nga shtëpia për të blerë një paketë cigare. Në rrugicën afër banesës, ai u përball me patrullën e repartit “Shqiponja”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore