Shqipëria

Vrasja e 37-vjeçares nga e motra/ Prokuroria ka dyshime, kërkon arrest me burg


Prokuroria e Tiranës do të kryejë verifikime komplekse për hetimin e rrethanave të krimit të ndodhur më 2 shtator në rrugën e Kavajës në Tiranë.

Shkak është bërë tentativa për ta paraqitur ngjarjen e rëndë fillimisht si vetëvrasje, një ngjatje ku humbi jetën 37-vjeçarja Amanda Pushani.

Prokuroria ka kërkuar masën “arrest me burg” për mësuesen 40-vjecare të Gjuhës Shqipe, Marsela Pushani.

Ajo akuzohet për vrasjen e motrës së saj Amanda Pushani.

Ndaj të dyshuarës janë ngritur akuza të rënda si ajo e vrasjes dhe e moskallëzimit të krimit, për të cilat Marsela Pushani rrezikon të dënohet deri në burgim të përjetshëm nëse shpallet fajtore.

Sakaq, 40-vjecarja pritet të dalë të martën para gjykatës.

Pretendimet e saj për një vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes, pritet të provohen edhe shkencërisht nga organi i akuzës duke kryer ekspertiza të tjera.

Edhe nëna e dy vajzave, e cila është marrë ne pyetje, në dëshminë e saj ka dhënë të njëjtin version si e arrestuara Marsela Pushani.

Viktima Amanda Pushani, referuar dëshmisë së saj, prej vitesh ishte e alkoolizuar dhe shpesh ushtronte dhunë ndaj saj dhe motrës së saj për t’i marrë para për alkool.

E ëma ka thënë se 37-vjeçarja ka ardhur e dehur në banesë dhe i ka kërcënuar me thikë.

Dhe se në momentin e përleshjes, Marsela i ka marrë thikën dhe e ka goditur në kushtet e vetëmbrojtës.

Mirëpo, Prokuroria do të kryejë të tjera ekzaminime dhe ekspertiza për të vërtetuar nëse vrasja ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes, siç ka pretenduar motra dhe nëna e saj.

Apo nëse në të vërtetë ka qenë vrasje.

Mësohet se Prokuroria ka kërkuar kryerjen e ekspertizave të tjera mjeko-ligjore mes të cilave edhe ato daktiloskopike të gjurmëve në banesën ku ka ndodhur krimi.

Sakaq, Prokuroria ka sekuestruar thikën që mendohet se ka shkaktuar vdekjen e 37-vjeçares ndërsa një tjetër analizë do të jetë edhe ajo e përqindjes së alkoolit në gjakun e viktimës.

Këto pritet të zbardhin dinamiken e ngjarjes së rëndë që ka ndodhur ne banesën e viktimës, e cila jetonte së bashku me nënën dhe motrën e saj.

Ditën e krimit ngjarja është fshehur nga dy pjesëtaret e tjera të familjes duke e raportuar si vdekje natyral.

Më pas autopsia nxori në pah edhe shkakun e vërtetë të vdekjes që ishte goditja me thikë në pjesën e barkut.

Ndërkohë, një tjetër pistë që pritet të verifikohet është nëse ka pasur persona të tjerë në skenën e krimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore