Zgjedhjet në Kosovë

Voton Qëndron Kastrati: Më e rëndësishme është pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje se kush fiton


Kandidati për kryetar të komunës së Kamenicës, nga radhët e Partisë Social Demokrate, Qëndron Kastrati

Kandidati për kryetar të komunës së Kamenicës, nga radhët e Partisë Social Demokrate, Qëndron Kastrati, ka shfrytëzuar të drejtën e tij për te votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Ai pas votimit, i ka ftuar qytetarët që të dalin në mënyrë masovike për të votuar ngase siç theksoi ai më me rëndësi është pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje se sa kush po fiton.

“I ftoj të gjithë qytetarët që të dalin sot në mënyrë sa më masovike në zgjedhje. Më me rëndësi se kush po fiton është pjesëmarrje e qytetarëve në zgjedhje dhe kur është pjesëmarrja më e lartë fiton demokracia domosdoshmërisht”, është shprehur ai.

Në anën tjetër Kastrati ka ftuar qytetarët edhe që të ruajnë qetësinë, sepse sipas tij, kjo dëshmon për mirë-organizimin e procesit zgjedhor në Kosovë.

“I ftoj qytetarët që të dalin sa më shumë të votojnë për kohën që ka mbetur, dhe i ftoj për qetësinë sepse edhe tregojmë kulturë dhe dëshmojmë që edhe për Kosovë edhe për Ballkan jemi një model se sa mirë e organizojmë procesin zgjedhor dhe sa mirë e bëjmë fushatën”, shtoi ai.

Kur pyetet se si po shkon procesi zgjedhor, ai theksoi se “aq sa jemi të informuar ka prezencë të personave afër shkollave të subjekteve politike, por që është një çështje që janë duke u marrë, ende nuk mundemi të konsiderojmë që mund të ketë një parregullsi që mund të ndikojë në rezultatet e zgjedhjeve”.

Për komunën e Kamenicës në garë janë Qendron Kastrati nga Partia Socialdemokrate(PSD) i cili në raundin e parë kishte fituar 5 mijë e 408 vota ose 32,52 për qind dhe Kadri Rahimaj nga LVV i cili kishte marrë 5 mijë e 156 vota ose 31,01 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore