Zgjedhjet në Kosovë

Voton Lumir Abdixhiku: Vendimmarrja i takon qytetarit


Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës , Lumir Abdixhiku, së bashku me vajzën dhe bashkëshorten e tij rreth orës 10:00, në shkollën fillore “Faik Konica” në kryeqytet, ka shfrytëzuar të drejtën e tij për të votuar në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, për të parin e komunës së Prishtinës.

Pas votimit, Abdixhiku ka thënë se vendimmarrja i takon qytetarit.

“Është një ditë e veçantë për të gjithë për Kosovën në radhë të parë është ditë e demokracisë është një ditë feste është ditë ku vendimmarrja kalon tek qytetarët, aty ku e ka vendin gjithmonë. Shpresoj që gjithçka do të shkojë mirë, shpresojë që ky proces të ruaj standardin e lartë që është ndërtuar tash e sa kohë, fitues janë të gjithë, fitues është Kosova”, ka thënë Abdixhiku.

Komuna me më së shumti votues është ajo e Prishtinës, me gjithsejtë 195 mijë e 978 votues, ku ka 52 qendra të votimit me 238 vendvotime.

Në garë për kryeqytetin janë kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia dhe kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama.

Vitia në raundin e parë kishte marrë gjithsejtë 36 mijë e 818 vota apo 42,54 për qind, kurse Përparim Rama, 25 mijë e 252 vota apo 29,17 për qind.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore