Zgjedhjet në Kosovë

Votat nga diaspora vendimtare për kryetarët e ri në Dragash dhe Junik, të martën fillon numërimi


Ilustrim

Të martën pasdite pritet të fillojë numërimi i votave të ardhura me postë në adresë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,

Kështu tha në një prononcim për EO, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i cili theksoi se numri i zarfeve të individualizuara me fletëvotime që do të numërohen është 2 mijë e 379.

Në bazë të listës së publikuar nga KQZ, numri më i madh i fletëvotimeve nga jashtë Kosovës i takojnë komunës së Junikut, 670 të tilla.

Numërimi i këtyre fletëvotimeve do të thotë shumë për rezultatin e ngushtë ndërmjet dy kandidatëve që garojnë për kryetarin e kësaj komune.

Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ-ja, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës Ruzhdi Shehu (1,199) ka një epërsi prej 29 votash nga kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Agron Kuçi (1,170).

Edhe në Dragash rezultati është shumë i ngushtë.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani (5,648) është në epërsi prej 47 votash në raport me kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bexhet Xheladini (5,601).

“Gjatë ditës së martë, 16 nëntor, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë me numërimin e fletëvotimeve të cilat janë dërguar nga jashtë Kosovës gjatë periudhës së votimit, 29 tetor – 12 nëntor. Tashmë shërbimi votues i KQZ-së ka bërë vlerësimin e 1,571 pakove të supozuara me fletëvotime të ardhura përmes postës.

“Nga procesi i vlerësimit, del se nga këto pako numri i zarfeve të individualizuara me fletëvotime është 2,658, prej të cilave janë aprovuar 2.379, ndërsa pasi nuk kanë plotësuar kriteret ligjore janë refuzuar 279 pako.  Këto fletëvotime u takojnë komunave 19 komunave të ndryshme”, tha Elezi.

Valmir Elezi

Ndërkaq, KQZ-ja akoma nuk ka bërë të ditur se sa është numri i votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta në 21 komunat ku u mbajt raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetarë.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve janë duke u zhvilluar të gjitha procedurat e parapara që gjithashtu sa më shpejt që është e mundur të fillojmë me numërimin e votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta”, shtoi Elezi.

Të dielën, më 14 nëntor, u mbajt procesi i votimit në 21 komuna: Gjakovë, Drenas, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamush dhe Kllokot.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore