Lajme

Von Cramon: Popullsia serbe është nacionaliste dhe ata mbështesin Rusinë


Eurodeputetja e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon, në një intervistë për The Geopost thotë se presidenti serb Aleksandër Vuçiç, duhet të sigurohet që shumica të jetë në mbështetje të Ukrainës.

Von Cramon shtoi se agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës ka tronditur të gjithë kontinentin evropian.

“Sigurisht, agresioni i tmerrshëm rus kundër Ukrainës po trondit të gjithë kontinentin evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor janë gjithashtu të prekura nga rritja e çmimeve të energjisë, nga kolapsi i ekonomisë, nga kërcënimet e sigurisë”, tha Von Cramon.

Raportuesja për Kosovën në PE thekson se pavarësisht krijimit të qeverisë së re në Beograd, Aleksandër Vuçiç është ai që merr të gjitha vendimet dhe sundon mbarë vendin.

“Aleksandar Vulin ishte qartazi një kukull pro Putinit, më sulmonte vazhdimisht, por a mund ta merrni seriozisht?”, pohon ajo.

“Nuk mundem, sepse në fund përshtypja ime është se edhe Serbia do të donte të bëhej anëtare, por ata kanë një përqindje mjaft të madhe të popullsisë së tyre të cilët janë nacionalistë dhe mbështesin Rusinë”.

Von Cramon: E kam parë publikimin e AP-së, propozimi është shumë i mirë – shpresoj që politikanët këtu ta kuptojnë sa shans i madh është

Më 24 tetor, Viola von Cramon, në një intervistë ekskluzive për Albanian Post, ka deklaruar se politikanët në Kosovë do të duhej ta kuptonin se çfarë shansi i madh është propozimi franko-gjerman, të cilin tha se e ka parë kur është publikuar në Albanian Post.

“Nuk mund të hy në detaje, por mendoj për aq sa kam dëgjuar, për aq sa është raportuar, ky është një propozim shumë i mirë, veçanërisht për Kosovën”, ka deklaruar Cramon.

“Ky është drejtimi i duhur drejt integrimit në BE drejt rrugës së BE-së. Uroj që kjo të përfundojë dhe vendimmarrësit këtu në Kosovë ta kuptojnë, sepse e gjithë kjo është një shans i madh për qytetarët këtu në Kosovë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi si hap i parë dhe i drejtë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore