Lajme

Von Cramon: E kam parë publikimin e AP-së, propozimi është shumë i mirë – shpresoj që politikanët këtu ta kuptojnë sa shans i madh është


Viola Von Cramon ne interviste per Albanian Post

Eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, në një intervistë ekskluzive për Albanian Post, ka deklaruar se politikanët në Kosovë do të duhej ta kuptonin se çfarë shansi i madh është propozimi franko-gjerman, të cilin tha se e ka parë kur është publikuar në Albanian Post.

“Nuk mund të hy në detaje, por mendoj për aq sa kam dëgjuar, për aq sa është raportuar, ky është një propozim shumë i mirë, veçanërisht për Kosovën”, ka deklaruar Cramon.

“Ky është drejtimi i duhur drejt integrimit në BE drejt rrugës së BE-së. Uroj që kjo të përfundojë dhe vendimmarrësit këtu në Kosovë ta kuptojnë, sepse e gjithë kjo është një shans i madh për qytetarët këtu në Kosovë që ta shfrytëzojnë këtë mundësi si hap i parë dhe i drejtë”.

Von Cramon, që po qëndron në Kosovë, për të marrë pjesë në disa organizime, ka deklaruar për AP se shpreson shumë që liderët e Kosovës ta kuptojnë “se është e rëndësishme që ne ta përdorim këtë dritare mundësie”.

Cramon pohoi se ka kohë që lojtarët ndërkombëtarë nuk kanë qenë kështu të rreshtuar dhe në pajtim për rrugën përpara.

“Për momentin, ne kemi Britaninë e Madhe – SHBA-të dhe Evropën në të njëjtin kamp. Po punojmë për Kosovën për t’u bërë anëtare e plotë në BE”, deklaroi politikanja gjermane.

Gjithsesi, ajo tërhoqi vërejtjen se jo gjithçka do të vazhdojë të qëndrojë kështu si është.

“Kemi një hark kohor shumë të shkurtër, do të kemi dy vjet, nuk e dimë se çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, në Uashington. Pra, le të jemi seriozë. Le të përpiqemi t’i marrim të gjitha në bord. Le të përpiqemi të jemi gati për kompromis politik. Në fund, nuk do të arrini kurrë për të marre 100% pa marr parasysh me kënd mund të flisni”.

E pyetur se a është i vetëdijshëm lidershipi në Kosovë për këtë “dritare të shkurtër” kur mund të arrihet marrëveshja, ajo ka refuzuar të komentojë, por tha se do të duhej ta dinin “nëse janë të zgjuar”.

“Nëse i pyesin qytetarët e tyre: ‘A është kjo ajo që dëshironi?’ Mund ta imagjinoja se do të thoshin, ‘po’. Ata do ta mbështesnin këtë (propozim). Unë do të imagjinoja se ata do të thoshin se ‘nëse kjo është ajo që na çon drejt integrimit në BE? Po, ju lutem firmosni’”.

Për atmosferën në Serbi dhe për mendimet e tyre për propozimin franko-gjerman, Von Cramon tha se nuk e ka idenë  “se si po perceptohet”.

“Megjithatë, është bindja ime që shumica e qytetareve të Serbisë do të dëshironin të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian”.

Ajo ka pohuar se e kupton që në Serbi “nuk janë pro-evropianë, natyrisht, si qytetarët e Kosovës apo qytetarët e Shqipërisë”, por “megjithatë, ekziston një brez i ri që do të donte të kishte një perspektivë, që do të donte të jetonte nën të njëjtat standarde si ne në Bashkimin Evropian”.

Von Cramon sërish ka tërhequr vërejtjen se në Kosovë duhet ta kenë të qartë që ky stabilitet dhe kohezion në perëndim, nuk e ka jetën e gjatë, sepse shpejt janë zgjedhjet në disa vende, përfshirë SHBA-të dhe shumë çka mund të ndryshojë.

“Duhet pasur parasysh që gjithnjë e më shumë po zgjidhen partitë e djathta”.

“Ne kemi Suedinë si kryetare të presidencës së BE-së për gjashtëmujorin e parë. Pastaj kemi Spanjën, një shtet qe nuk iu ka njohur, në gjysmën e dytë të vitit. Mendoj se kjo qeveri duhet të ketë interes të përshpejtojë të gjitha llojet e negociatave”, pohoi Von Cramon në këtë intervistë ekskluzive për Albanian Post.

Ekskluzive, “korniza e re” në dialog: Marrëveshje përmbajtësore vitin e ardhshëm, finalja pas 10 vjetësh – Kosova fiton njohje nga 5-shja e BE’së, anëtarësim në organizata; Serbia përfiton ndihma masive

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore