Lajme

Von Cramon: Kërcënimet për stabilitet në Ballkanin Perëndimor vijnë nga Serbia


Eurodeputetja dhe raportuesja për Kosovën, Viola von Cramon.

Sipas eurodeputetes dhe raportueses për Kosovën, Viola von Cramon, kërcënimet për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor vijnë nga Serbia në rastet më të shumta.

Cramon, gjatë një interviste për Euractiv, ka thënë se Serbia reagon përmes këtyre sulmeve për shkak të mungesës së vullnetit politik për të gjetur një zgjidhje.

“Kërcënimet për stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, para së gjithash vijnë nga Serbia dhe mungesa e vullnetit politik për të gjetur një zgjidhje. Është e qartë këtë herë se durimi me presidentin Vuçiç është i lodhur”, ka thënë Cramon.

Ajo tutje është pyetur se si arritën automjetet e blinduara me armë dhe pajisje ushtarake në Veri, kush ishte pas saj dhe cilat grupe kriminale fshihen akoma atje.

Për të cilat tha se s’është në dijeni, por që konsideron se presidenti i Serbisë është në dijeni të asaj se çfarë po ndodh.

“Ndërsa Vuçiç kontrollon shumë gjëra në Serbi, është e vështirë të besohet se ai nuk ishte në dijeni të asaj që po ndodhte në lidhje me blerjen e armëve apo organizimin e grupit agresiv”.

Kurse për konfiskimin e arsenalit të armëve ajo tha se i takon Policisë së Kosovës, tashmë që ta siguroj një hetim dhe transparencë të duhur.

“Tani është në duart e tij të sigurojë një hetim dhe transparencë të duhur për atë që ndodhi,” tha ajo.

Sipas saj, Bashkimi Evropian do të marrë masa politike dhe financiare ndaj Serbisë.

“Po flasim për masa politike dhe financiare ose që lidhen me negociatat e anëtarësimit. Ne kemi shumë mjete në dispozicionin tonë dhe e dimë se nuk është në interesin e presidentit Vuçiç, veçanërisht pasi ai bëri thirrje për zgjedhje në dhjetor, që gjërat të dalin jashtë kontrollit,” shpjegoi ajo.

“Masat janë hartuar tani. Ne po flasim për masa politike dhe financiare, qasje të kufizuar në fondet IPA, të cilat padyshim do të dëmtojnë qeverinë serbe”.

Një grup i armatosur të dielën e 24 shtatorit, ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjë të Zveçanit, duke lënë të vrarë rreshterin, Afrim Bunjaku.

Autoritetet e Kosovës akuzuan drejtpërdrejtë Serbinë se qëndron prapa këtij sulmi terrorist, teksa kryekrimineli Milan Radojiçiç – njeri i besuar i presidentit serb Aleksandër Vuçiç – ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Radojiçiç u arrestua të martën nga autoritetet serbe, për t’u liruar një ditë më pas.

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian e kanë dënuar këtë sulm, derisa kanë kërkuar që përgjegjësit të sillen para drejtësisë.

Nga ana tjetër, Serbia nuk është distancuar nga ky sulm, përkundrazi ka shpallur ditë zie kombëtare, për t’i nderuar kështu terroristët e vrarë.

Përveç kësaj, Beogradi zyrtar, pas sulmit terrorist, dislokoi një numër të madh të trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët kërkuan që menjëherë të zvogëlohet numri i trupave ushtarake. Pas këtyre thirrjeve të qarta të ndërkombëtarëve, Beogradi njoftoi se ka filluar reduktimin e trupave ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore