Zgjedhjet në Shqipëri

Vlora, fushëbeteja e radhës Meta-Rama


Vlora ka qenë të premten qendra e vëmendjes politike në Shqipëri, pas vizitës së kryeministrit Edi Rama, në qytetin bregdetar.

Fillimi i vaksinimit për mjekët në zonën jugore, ishte zanafilla e gjithë zhvillimeve politike të 19 shkurtit në Shqipëri. Kjo, bashkuar me deklaratat e forta të presidentit, Ilir Meta, gjatë një konference të zhvilluar me gazetarët.

Presidenti ka akuzuar kryeministrin mbi selektimin që po bën për shpërndarjen e vaksinave. Nga ana tjetër, Rama është përgjigjur gjatë gjithë kësaj kohe ndaj akuzave, se “procesi është transparent dhe po ndiqet në mënyrën e duhur, ndërkohë që në vende të tjera të rajonit ende nuk ka filluar”.

Duke folur për aeroportin e Vlorës, Rama akuzoi Metën mbi rolin e tij presidencial. “Për fat të keq, presidenti është shpërdoruesi në vazhdimësi i institucionit dhe rolit të tij”, deklaroi kryeministri.

Meta më pas, do të reagonte duke thënë se “Vlorën e ka në zemër, si çdo shqiptar i ndershëm”. “Zotërinjtë e tjerë, e duan Vlorën për ta futur në xhepin e tyre, ngaqë u janë fryrë xhepat shumë e u duket Vlora e vogël”, shkruan Meta në Facebook.

Në të njëjtën media sociale, Rama akuzon sërish presidentit mbi fjalët e tij.

“Fatkeqësi e madhe e këtij vendi helmi që prodhohet pa ndalim e as turp, nga ata që e bëjnë përditë e më të ndjeshme mungesën e një vaksine kundër tërbimit të njeriut”.

Në një kohë kur fushata sheh përballë PS-PD, Meta është duke dalë nga roli i tij mbi palët dhe duke replikuar ashpër me Ramën. Presidenti nuk do të ketë mundësi të kandidojë në këto zgjedhje për shkak të funksionit që mbart. Megjithatë, ai sërish nuk po i ndalon replikat në distancë me Ramën.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore