Lajme

Vjosa Osmani në e-Estoni


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po qëndron në Estoni me ftesë të institucioneve të këtij shteti.

Ajo do të qëndrojë dy ditë dhe pritet të mbajë takime me presidenten estonez, Kersti Kaljulaid, presidentin e Parlamentit, Jüri Ratas, kryeministren Kaja Kallas, si dhe kryesuesin e Komitetit për çështje evropiane, Siim Kallas.

Estonia konsiderohet si shteti me e-qeverisjen më të mirë dhe më funksionale jo vetëm në Evropë por edhe më gjerë.

Presidentja Osmani, vizitën në Estoni e ka cilësuar si një mundësi të pashembullt për vendosjen e bashkëpunimit mes dy vendeve edhe për çështjen e e-qeverisjes.

E para e vendit në rrjetin e saj “Facebook” ka publikuar një fotografi të pritjes ceremoniale me ç‘rast ka falënderuar shtetin mik të Kosovës duke shkruar “Faleminderit Estoni!”.

Estonia është ndër shtet e para që ka njohur shtetin e Kosovës. Njohja nga shteti estonez ka ardhur vetëm katër ditë pas shpalljes së pavarësisë, përkatësisht me 21 shkurt të vitit 2008 si njohja e 13-të.

Raportet diplomatike mes Kosovës dhe Estonisë janë lidhur qysh në muajin prill të vitit 2008.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore