Shqipëria

Vjosa del nga shtrati, përmbytje në Vlorë dhe Fier, Çako: Situata në përmirësim


Reshjet e dendura të shiut me intensitet të lartë kanë bërë që mëngjesin e 12 dhjetorit niveli i lumit të Vjosës të rritet, duke dalë nga shtrati.

Përkatësisht në Qarkun e Vlorës, Novoselë lumi ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur disa banesa aty. Nga prefekti i zonës është bërë me dije se banorët janë evakuuar nga banesat.

Ndërkohë në vendin e quajtur “Bishti i Malit”, Selenicë, uji ka dalë në akset rrugore dhe ura e Mesaplikut është dëmtuar dhe banorët e zonës kanë mbetur të izoluar.

Situatë problematike paraqitet edhe në Qarkun e Fierit, ku janë përmbytur serat dhe fermat në Ferras dhe Çerven. Përveç dëmtimit të tokave bujqësore, uji ka hyrë dhe në katin e parë të banesave.

Ndërkohë nga Fieri drejtori i përgjithshëm i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka deklaruar se, “janë marrë masat për të evidentuar çdo problematikë që kanë pasur banorët në këtë zonë. Dhe jo vetëm, por edhe në Qarkun e Vlorës”.

“Ka kapur nivel maksimal por nuk kemi përmbytje masive”, tha Çako duke shtuar se, “janë evakuuar disa familje ndërkohë procesi po vijon ende”.

Ai bëri me se janë vënë në dispozicion të gjitha emergjencat lokale dhe më tej.

Ai e mbylli fjalën e tij duke thënë se kushtet e motit janë drejt përmirësimit, ku pritet që intensiteti të bjerë dhe lumi Vjosa do të largohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore