Shqipëria

Vijon vaksinimi i të dënuarve në burgjet e Shqipërisë


Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka njoftuar përmes një statusi në median soiale, Facebook, se po vijon vaksinimi i të dënuarve në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) të vendit.

“Vaksinimi i personave të burgosur vijon në Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale Durrës, Lezhë, Lushnjë, Tepelenë dhe Vlorë”, cilëson ministrja.

Kategoritë e të dënuarve që po i nënshtrohen vaksinimit janë ata me sëmundje kronike dhe mosha mbi 55 vjeç.

Në nëntë IEVP-të e vendit ku të dënuarit po marrin dozën e parë të vaksinës, janë kryer 1291 vaksina.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe strukturave të saj shëndetësore vendore, vaksinimi kundër COVID-19 do të shtrihet në të 24 (IEVP)-të e vendit.

“Ky proces i sapofilluar pas vaksinimit të trupës policore, do të vijojë për të mundësuar edhe më tej lehtësimin e masave për t’iu kthyer normalitetit në institucione”, shkruan Gjonaj.

Më herët, Gjonaj ka zhvilluar një takim me drejtorët e Burgjeve në Republikën e Shqipërisë, ku u diskutua për lehtësimin e masave Covid-19 për të burgosurit.

Gjatë fjalimit të saj, ajo theksoi rifillimin e takimeve, dhënien e lejes së veçantë.

Të tjerat, për masat anticovid, do të vijojnë të jenë në fuqi. Ky lehtësim sipas ministres erdhi pas normalizimit të situatës Covid-19.

Gjithashtu, Gjonaj, theksoi se lehtësimi i masave është kryer në përputhje me Komitetin Teknik të Ekpertëve dhe propozimeve nga Avokati i Popullit.

Fushata e vaksinimit në Shqipëri

Fushata e vaksinimit masiv vijon gjithashtu me ritme të shpejta. Ndërkohë deri më tani janë vaksinuar mbi 842 mijë shqiptarë.

Mbi 250 mijë qytetarë, i kanë kryer të dyja dozat e vaksinës anti-Covid.

Në Shqipëri kanë mbërritur deri tani mbi 900 mijë doza të vaksinave anti-Covid, ndërsa janë siguruar përmes kontratave të deritanishme, 2.4 milionë doza.

Që prej fillimit të vaksinimit masiv të popullsisë, Shqipëria renditet ndër vendet me fushatat më të suksesshme të dozave të administruara për banor.

Katër janë vaksinat e përdorura në vendin tonë: Pfizer, AstraZeneca, Sputnik V dhe Sinovac.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore